Dështoi projekti i vauçerëve për kondicionerë

Dështoi projekti për dhënien e kuponëve për inverterë, i cili u shpall në mënyrë bombastike një vit më parë. Pas disa muaj shkresash midis disa ministrive, kuponët mbetën pa u shpërndarë. Tani në fillim të sezonit të ri të ngrohjes, Qyteti i Shkupit shpall rregulla të reja gjatë aplikimit. Në vend të kuponëve, qytetarët vet duhet të blejnë një kondicioner inverter dhe më pas pushteti lokal premton tua kthejë paratë. Nga Qyteti i Shkupit thonë se ata vetë vendosën të kërkojnë kuponë fiskal për kondicionerin inverter tashmë të blerë, sepse kështu është më lehtë për evidencë.

Qyteti i Shkupit:

“U diskutuan disa opsione për procesin e alokimit të mjeteve. Në fund, Qyteti i Shkupit vendosi të përdorë metodologjinë e përdorur për thirrjet publike për 2018 dhe 2019. Arsyeja për këtë është sepse kjo metodologji është provuar të jetë efikase, dhe lehtëson procesin e monitorimit dhe kontrollit nëse qytetarët me të vërtetë kanë ndryshuar mënyrën e ngrohjes para se të paguhen mjetet.”

Ndryshimi i këtillë i rregullave për aplikim është diskutues për shumë arsye. Kuponët duhej t’u ndihmojnë familjeve të rrezikuara sociale për të arritur deri tek mjetet ekologjike për ngrohje, por tani është problematike si do të aplikojnë ata nëse dihet se çmimi i një kondicioneri inverter lëviz nga 500 euro e më tepër. Shpallja në Qytetin e Shkupit vazhdon dhe mjete janë paraparë për 5 mijë persona që kanë blerë kondicionerë inverter nga fillimi i vitit. Të njëjtat rregulla vlejnë edhe në komunat Kërçovë dhe Tetovë, por jo edhe në Manastir. Në këtë komunë shpallja vlen nga dita e premte dhe do munden të aplikojnë ata që prej atëherë do të blejnë kondicionerë inverter. Gjithashtu, në pushtetin lokal në Manastir nuk duhet të dorëzohen llogari fiskale, por mjafton që qytetarët të paraqesin faturë nga kompania ku do ta blejnë kondicionerin. Komunat sigurojnë që këtë vit qytetarët do të marrin para për inverter kondicionerë. Por se kur do të ndodhë nuk e precizuan sepse procedura është e gjatë – qytetarët duhet së pari të instalojnë kondicionerin e ri, t’i dorëzojnë ngrohësit e vjetër dhe pastaj komuna të kontrollojë nëse aplikanti i përmbush këto kërkesa. Sa kohë do të zgjasë ky proces, askush nuk mund ta precizojë.