Lajmi i keq që dha përmes një videomesazhi Albin Kurti, se në ditën e formimit të kuvendit të ri, Vetëvendosje dhe LDK do të shkojnë pa një marrëveshje, flet më shumë sesa për një dështim momental. Kuptimi i tij i vërtetë nuk është pamundësia për të krijuar një qeveri të përbashkët, por nënteksti se edhe nëse arrin të formohet, ajo do të mbahet peng nga forcat e errëta të politikës së vjetër.
Dhe kjo u pa qartë nga mënyra se si u zhvilluan bidesimet dhe se si u sollën palët përgjatë gjithë procesit, që para zgjedhjeve të 6 tetorit e deri në dy muajt që vijuan pas tyre.
Nëse partia e Albin Kurtit u soll hapur dhe ndershëm që me propozimet për koalicionin para zgjedhor, nëse ajo veproi me dinjitet duke mos flirtuar (për të ulur rolin dhe peshën e LDK-së) për koalicione me partitë që ishin dënuar nga vota popullore, partneri tij Isa Mustafa nuk iu përgjigj me të njëjtën monedhë.
Loja e LDK-së qe gjatë gjithë kohës meskine, përllogaritëse, interesaxhie.
LDK nuk pranoi që para 6 tetorit, as koalicionin parazgjedhor dhe as ftesën buajre që një liste të përbashkët ti printe kandidatura e saj, Vjosa Osmani. Ajo u soll në mënyrën më absurde të mundshme edhe pas garës elektorale. Kur të gjithë e dinin rezultatin e tyre, Isa Mustafa adoptonte slloganin: “nuk fillojmë bisedime pa pasur çertifikim zyrtar”. Por bisedimet jo vetëm u vonuan, por me zgjatjen e tyre u shmang dita ditës edhe ylli në ngritje i kësaj partie, ajo që i kishte siguruar maksimumin e votave, Vjosa Osmani. Në plan të parë dolën figura të ditëve të errëta, të qeverisjeve të përbashkëta me “klanin pronto”, duke mashtruar kështu zgjedhësit sipas motos, “me të tjera fytyra ju gënjejmë për të marrë votat dhe me të tera i’u grabisim vendimmarrjen”.
E gjithë kjo mëndësi shpërtheu edhe më e fortë në allishverishet për të folur më shumë sesa për programin, për poltronat dhe postet që do të kishte LDK në qeverinë e ardhshme. Insistimi për të mos pranuar një president konsensual, një figurë që e kapërcente pragun partiak, por për ta parë kreun e shtetit thjeshtë si një post pazari më shumë për LDK-në, e tregon më së miri këtë tendencë.
Pra, pas gjithë këtij kalvari në sy të publikut u pa qartë kontradikta themelore e mosmarrëveshjes mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës: i pari kërkonte një formulë për të zbatuar vullnetin transformues të qytetarëve në zgjedhjet e fillim tetorit, i dyti mendonte vetëm për bahçen e shtëpisë së tij.
Dhe e keqja e kësaj kontradikte nuk qëndron në faktin se ajo u bë pengesë për krijimin e një qeverie deri në afatin e caktuar. Kjo gjë zgjidhet kollaj, me një provë të re elektorale dhe me zgjedhje të reja.
Por dëmi më i madh që del në pah nga kjo sagë tre mujore, para dhe pas zgjedhore është se ai na parathotë edhe se çfarë do të ndodhë nëse këbineti i ri VV-LDK krijohet. Ajo do të jetë një qeverisje ndryshe nga sa paraqitet plot emfazë, dhe voluntarizëm në fjalimet lirike të Albin Kurtit. Sepse gjysma e saj do të jetë një riciklim i politikës së vjetër. Një transferim i interesave meskine me lojë postesh e emrash që kanë përfaqësuar qeveritë e kaluara. Një mendësi prej kani të ngushtë, që në të gjitha betejat e së nesërmes do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte me oligarkët, me kapësit e shtetit dhe me mëkatarët e të djeshmes, vetëm për të ruajtur interesat e tij.
Në këtë kuptim, sido që të jetë versioni përfundimtar i bisedimeve, ne tashmë e kemi marrë mesazhin e parë: LDK e ka korruptar vullnetin për ndryshim që treguan zgjedhësit në 6 tetor. Ajo i gënjeu ata me Vjosa Osmanin duke fshehur poshtë fustanit të saj mustaqet e Agim Veliut. E për këtë arsye ajo na tregoi edhe se me çfarë fytyre do të përfaqësohet në qeverinë e nesërme. Pra edhe nëse në rastin më të mire, ne do të arrijmë të kemi një kabinet Kurti, gjysma e tij do të jetë përfaqësuese e botës së vjetër. Pikërisht kjo qe dhurata më e hidhur e këtyre krishtlindjeve.