Deri më tani shqiptarët e Luginës kanë siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë

Në Serbi është duke vazhduar numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare, komunale dhe krahinore që u mbajtën të dielën më 21 qershor.

Për herë të parë në këto zgjedhje partitë shqiptare kandiduan me një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare “Alternativa Demokratike Shqiptare”.

Deri në numërimin e tanishëm, shqiptarët në Kuvendin e Serbisë kanë arritur që t’i sigurojnë dy mandate.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, i cili në numrin e deritanishëm, ai ka arritur që t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit të Serbisë.

“Dy deputetë jemi që kemi arritur të bëhemi pjesë e Kuvendit të Serbisë. Nuk ka përfunduar akoma numërimi në tërësi dhe nuk mund të kemi rezultatin e saktë përfundimtar”, ka treguar Kamberi për lajmi.net, i cili theksoi se beson që deri në ora 18:00 do të përfundojnë të gjitha numërimet dhe do të dihet edhe rezultati përfundimtar i përfaqësuesve të Luginës në Parlamentin e Serbisë.

Në anën tjetër, përveç Shaip Kamberit, pjesë e Kuvendit të Serbisë për katër vitet e ardhshme do të jetë edhe preshevari Argjend Bajrami, nga Alternativa për Ndryshim.