Qëllimi ynë i përbashkët është një Europë paqësore, e fortë, e qëndrueshme dhe e bashkuar përmes integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE, deklaroi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në fjalimin e tij gjatë një konference të nivelit të lartë të mbajtur në Selanik.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë brenda BE-së”, theksoi ai.
“Ballkani Perëndimor është një pjesë integrale e Europës dhe politika e zgjerimit e BE-së është mjeti më i fortë për të garantuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, deklaroi Dendias, duke theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë reformat e nevojshme, ndërsa BE duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe t’i japë kredi vendeve që e meritojnë.
“BE dhe Ballkani Perëndimor duhet të shikojnë të ardhmen dhe të shqyrtojnë çështje të tilla si shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, forcimin e institucioneve demokratike si dhe promovimin e rritjes ekonomike, përparimit shoqëror dhe konkurrencës”, shtoi Dendias.
“Të gjitha këto duhet të shoqërohen nga shtyllat e vendosura për zgjerimin, siç janë marrëdhëniet e mira me fqinjët në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Kjo përpjekje duhet të jetë themeli i një agjende afatgjatë, që gjithashtu kërkon integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm europian, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e investimeve dhe klimës së biznesit, promovimin e shtetit të së drejtës dhe parandalimin e thithjes së trurit”, theksoi Dendias.




