Çulev përgatit ndryshimin e kuadrove në MPB

Ka filluar beteja për emrat e rinj të cilët mund të drejtojnë disa nga sektorët dhe organet kyçe në Ministrinë e Punëve të Brendshme deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht, flitet se mund të ndryshohet disa nga tetë drejtuesit e sektorëve për Punëve të Brendshme, kreu i sektorit për krim të organizuar, kontrollit të brendshëm, madje edhe njësiteve speciale, mes të cilave përflitet njësiti “Tigrat”. Siç mëson Alsat, akti i ri i sistematizimit pritet të kalojë në Qeveri menjëherë pas festave, me çka emrat e rinj do të mësohen brenda javës.

Ndryshimet vinë pas zgjedhjes së ministrit të ri të Brendshëm teknik Naqe Çulev i cili ishte propozim i VMRO-DPMNE-së. Ligjërisht, Çulev ka të drejtë të ndryshojë deri në 15 kuadro në pozita drejtuese në dikasterin që drejton të cilët do të kenë mandat deri në konfirmimin e rezulatit zyrtar të zgjedhjeve. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se nuk janë të njoftuar me emrat që përfliten për emërim në poste të caktuara por janë të bindur se ndryshimet do të jenë sipas ligjit.

Konkretisht se për cilat emërime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk kemi informacione se çfarë ndryshimesh përgatiten. Por, sa e njoh ligjin për Qeverinë, absolutisht ka bazë ligjore për ndryshim të një pjese të kuadrit udhëheqës në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ajo që do të ndërmerret, sigurisht, do të jetë në korniza të ligjit dhe të sigurimit të besimit në procesin zgjedhor që vjen”-tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Meqë për të gjitha ndryshimet eventuale financiare dhe kadrovike është i patjetërsueshëm edhe nënshkrimi i zëvendësministres plotësuese, Slavjanka Petrovska, e zgjedhur me propozim të LSDM-së, ajo konfirmon për Alsat se është takuar me ministrin lidhur me ndryshimet eventuale. Megjithatë, Petrovska sqaron se nuk ka akoma emra dhe as sektoret e caktuara të cilët do të kapen me këto ndryshime. Ministri i Brendshëm teknik ka të drejtë edhe për ndryshim prej 10% në shpërndarjen horizontale të kuadrove./Alsat