Covid-19, mbi 4.5 milionë të shëruar në mbarë botën

Tashmë mbi 4.5 milion pacientë me koronavirusin e ri në mbarë botën janë shëruar. Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon informacionet më të fundit mbi pandeminë, në botë deri më tani betejën me COVID-19 kanë arritur ta fitojnë 4,546,605 persona.

Më e keqe është gjendja në SHBA, ku janë infektuar mbi 2,2 milionë qytetarë, ndërsa Brazili afrohet deri në një milion, me 983.359 raste të konfirmuara deri më tani me virus korona.

Këto dy vende, gjithashtu, janë të parët sipas numrit të viktimave. Në SHBA deri më tani ka 120.688 raste të vdekjes dhe 47.869 në Brazil. Mbretëria e Bashkuar ka saktë 42.278 viktima të Covid-19.

Pas shfaqjes për herë të parë në qytetin Wuhan të Kinës, Covid-19 u përhap në mbarë botën duke u shndërruar në pandemi. Në të gjithë botën, nga COVID-19 kanë humbur jetën 456,650 persona, ndërkohë shifra e rasteve ka arritur në 8,595,075.