Bytyqi – Escobar: Anëtarësimi në NATO i shtoi mundësitë për investime të reja

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ka takuar sot me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar i cili po qëndron për një vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kurse shoqërohej nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Kate Marie Byrnes.

Sipas njoftimit nga kabineti i zëvendëskryeministrit, Bytyqi dhe ndihmës sekretari i shtetit Escobar, të cilët diskutuan për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve, rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe konkluduan se SHBA mbeten një nga partnerët më të fortë strategjikë të vendit tonë dhe mbështetës i fortë i integrimeve euro-atlantike.

“Bytyqi theksoi se anëtarësimi në NATO ka sjellë stabilitet dhe siguri në vend, duke rritur kështu mundësitë për investime të reja dhe konkurruenshmëri më të madhe në nivel ndërkombëtar, dhe theksoi se Qeveria është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme dhe tejkalimin e çështjeve të hapura, drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”

“Escobar dhe Bytyqi diskutuan edhe për avancimin e klimës së biznesit, përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore në vend dhe me fqinjët, si dhe realizimin e projekteve për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, me ç’rast sekretari i shtetit Eskobar theksoi mbështetjen e SHBA-së për mbarë bashkëpunimin ekonomik rajonal që sjell një avantazh konkurrues për vendet e Ballkanit Perëndimor”

“Në takim, zëvendëskryeministri Bytyqi rikonfirmoi përkushtimin tonë që Maqedonia e Veriut të bëhet qendër energjetike në Ballkan, duke diversifikuar burimet e energjisë dhe duke u lidhur me vendet e rajonit, që gjithsesi është një strategji afatgjatë që do të sigurojë stabilitet, qëndrueshmëri dhe parashikueshmëri gjatë furnizimit”

“Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe zëvendës ndihmës sekretari i shtetit Escobar, në takim rikonfirmuan se vendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është në BE dhe se me mbështetjen e SHBA-ve do të realizohen reformat e nevojshme, të cilat janë në përputhje me parimet demokratike perëndimore të qeverisjes dhe do mundësojnë zhvillim të sigurt të shtetit dhe jetë më të mirë të qytetarëve”, thuhet në fund të komunikatës.