Bosnjë dhe Hercegovina pranon 30 mijë vaksina donacion nga Turqia

Tridhjetë mijë doza të vaksinës kineze Sinovac, donacion nga Turqia në kuadër të luftës kundër COVID-19, kanë arritur në Bosnjë dhe Hercegovinë, raporton Anadolu. Vaksinat, të premtuara nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës në Ankara të anëtarëve të Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës më 16 mars, u dërguan me një aeroplan ambulancë në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës.

Ministri i Sigurisë i Bosnjë dhe Herzegovinës, Selmo Cikotiç, në një konferencë shtypi në aeroport falënderoi presidentin Erdoğan dhe popullin turk, duke theksuar se “Turqia sot, ashtu si gjithmonë, tregoi se është e gatshme të na mbështesë”.

Këshilltari i Kreut të Këshillit Presidencial, Boshko Tomiç, tha se ndihma në periudhën kur sistemi shëndetësor po kalon nëpër kohëra të vështira është e rendësishme.

“30 mijë dozat e dërguara janë shumë të vlefshme, qoftë për shpëtimin e një jete të vetme. Falënderoj Turqinë për këtë mbështetje të madhe që na e ofroi”, theksoi Tomiç.

Zëvendësambasadori i parë i Turqisë në Sarajevë, Ozgur Şahin, tha se me porosi të presidentit Erdogan menjëherë ka kontaktuar autoritetet e Bosnjë dhe Hercegovinës, duke shtuar se mbështetja për këtë vend në luftën kundër pandemisë do të vazhdojë tutje.