Borrell: Njihni Kosovën, gati të ndërmjetësojmë dialogun Prishtinë-Beograd

Nga Beogradi, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian Josep Borrell kërkoi rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe njohjen e Kosovës nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Ndërsa presidenti serb Vuçiç, ndonëse pesimist, tha se Serbia është gati të bisedojë me Prishtinën pas shfuqizimit të taksës.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell guxoi të kërkojë në Beograd njohjen e Kosovës nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.

Gjithashtu gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ai shpresoi për rifillimin e shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi.

Borrell siguroi se kur një gjë e tillë të ndodhë, Bashkimi Europian do të jetë i gatshëm për të ndërmjetësuar.

Përfaqësuesi i lartë, ndërsa vlerësoi rolin e ShBA-së në dialog nënvizoi se Uashingtoni nuk mund t’i sigurojë i vetëm Kosovës, vendin në Organizatën e Kombeve të bashkuara.

“Ka edhe vende të tjera përveç atyre europiane, si Kina, Rusia apo India. Besoj se tani çdokush e kupton se Kosova duhet të njihet nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar,” tha Borrell.

Presidenti Vuçiç tha se të dy palët kishin disa vjet më parë shansin për të arritur një kompromis, por tani sipas tij një gjë e tillë u shua dhe ai nuk sheh ndonjë mundësi për dialog. Pavarësisht pesimizmit, Vuçiçi tha se Serbia është gati të bisedojë me Prishtinën pas shfuqizimit të taksës.

Pas takimit me Borrell-in, Vuçiçi i kujtoi shtypit se një ditë më pas Bashkimi Europian do të ketë 27 vende anëtare dhe se Serbia mund të bëhet vendi i 28 anëtar.