Borrell – Kurtit: Na duhet heqja e plotë e tarifave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka pranuar një letër nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Siç njofton Zyra për Komunikim e Kurtit, Borrell në letrën e tij është shprehur i kënaqur ndaj kryeministrit që “marrëdhënien me BE-në e ka vënë si punë të tijën kryesore”.

“Ngjashëm, unë e mirëpres synimin tuaj për vazhdimin e reformave të domosdoshme që ta shtyni përpara sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Këto janë elemente kyçe për të ardhmen tuaj”, ka thënë Borrell.

Ai ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, ndërsa ka thënë se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare “besojnë fuqishëm se rifillimi i bisedimeve është i domosdoshëm dhe urgjent” dhe se “do të kërkojë heqjen e plotë të tarifave”.

“Unë e mirëprita njoftimin tuaj javën e kaluar për tarifat, që paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur. Neve na duhet heqja e plotë e tarifave. Në këtë kontekst unë pajtohem plotësisht me ju se marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht. Serbia, sikur Kosova, duhet t’i përmbushë zotimet për zbatimin e atyre marrëveshjeve”, ka thënë mes tjerash Borrell.

Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit 2018.

Ditë më parë, Kurti ka shpalosur planin e tij për heqjen graduale të kësaj takse.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e plotë të saj.

Ka pasur edhe paralajmërime për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova, për shkak të mungesës së një vendimi nga Qeveria e Kosovës për heqjen e plotë të taksës.

Taksa ka bërë që edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ndërpritet qysh në fund të vitit 2018.

Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës. Kosova kërkon që Serbia të ndalë fushatën për çnjohjet e pavarësisë së saj.