Borrell kërkon takim urgjent për situatën në Siri

Takim i jashtëzakonshëm i Këshillit të BE do të mbahet javën e ardhshme, tha ai.

Në një deklaratë, Borrel tha se luftimet e përtëritura brenda dhe përreth Idlibit paraqesin një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Bashkimi Evropian duhet të dyfishojë përpjekjet e tij për të trajtuar këtë krizë të tmerrshme humanitare me të gjitha mjetet në dispozicion të tij”, tha ai.

Borrell shtoi se BE po monitoron nga afër situatën e migracionit në kufijtë e jashtëm të Unionit dhe është e angazhuar të mbështesë Greqinë dhe Bullgarinë.

Ai thekson se marrëveshja e arritur nga BE dhe Turqia për ndalimin e valës së migrantëve duhet të ruhet.

Ndryshe, edhe Komisioni Evropian bëri thirrje për një takim të jashtëzakonshëm për shkak të presionit të ri nga migrantët nga Siria, të cilët përmes Turqisë dëshirojnë të hyjnë në BE.