Bjellorusia nuk e anulon paradën ushtarake, pavarësisht pandemisë

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ka thënë se nuk do ta anulojë paradën ushtarake për shënimin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore më 9 maj, pavarësisht situatës me koronavirusin.

“Më duhet të them se nuk mund ta anulojmë paradën, thjesht nuk mundemi. Kam menduar për këtë për një kohë të gjatë”, tha Lukashenko gjatë një takimi qeveritar, duke shtuar se është i shqetësuar se njerëzit do të mendonin se shteti është i frikësuar, nëse parada do të anulohej.

“Ne duhet të sjellim ndër mend se disa njerëz (që kanë luftuar) mund të kenë vdekur nga viruset apo sëmundjet e tjera, por ata nuk e kanë ndier këtë, ata kanë vdekur për ne, pavarësisht sa pompoze mund të tingëllojë kjo”, tha presidenti bjellorus.

Ai kërkoi që askush të mos detyrohet të marrë pjesë në paradë. “Nëse njerëzit nuk duan të shkojnë, janë të frikësuar, kujdesen për shëndetin e vet, ne do ta kuptojmë këtë. Sot kemi njerëz të mjaftueshëm që dëshirojnë që kjo ngjarje të mbahet, kemi mijëra e mijëra njerëz që e duan këtë”, shtoi ai.

Sidoqoftë, Rusia dhe disa vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik i kanë anuluar paradat e tyre për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, shkruan “CNN.

Deri më tani, në Bjellorusi janë shënuar 17,489 raste të infektimeve me koronavirus dhe mbi 100 persona kanë vdekur.