Bisedimet Kosovë-Serbi, dështon për herë të dytë dialogu mes Kurtit dhe Vuçiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”. Ai tha se Serbia çdo herë po i shmanget thelbit të temës së për çfarë zhvillohet dialogu.

“Unë gjithmonë e ritheksoi çështjen e “elefantit në dhomë”. Kjo për shkak të mosnjohjes. Serbia çdo herë e anashkalon thelbin. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe Kosova duhet ta njohë Serbinë. Por nëse anashkalohet elefanti në dhomë, atëherë mbetet pak hapësirë brenda dhomës. Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, mirëpo Serbia nuk dëshiron të diskutojë për këtë temë. Unë e kam theksuar disa herë që, për çështje teknike, i kemi ekspertët. Unë jam lider politik dhe do të flas për çështje politike. Dhe, thelbi është: njohja e ndërsjellë Serbia duhet ta njohë Kosovën. Kosova duhet ta njohë Serbinë dhe gjithçka tjetër është pastaj e zgjidhshme dhe e kollajshme”- deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Lidhur me çështjen e të pagjeturve, Kurti tha se ajo nuk mund të zgjidhet përderisa në krye të atij delegacioni është Velko Odalloviq, i cili ka qenë pjesë e okupimit dhe njëri nga njerëzit e Millosheviqit.

“Ne e kemi caktuar në Kosovë një udhëheqës të ri te delegacionit. Është Andin Hoti, djali i profesorit Ukshin Hoti. Nuk mendoj se mund ta zgjedhim çështjen e të pagjeturve nëse Odalloviq kryeson delegacionin. Ai ka qenë pjesë e okupimit të Kosovës. Ka qenë një nga njerëzit e Sllobodan Millosheviqit”- pohoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se nuk besoj “se njerëzit po kthehen 150 vite prapa dhe po flasin për të kaluarën”, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës Kurti. Sipas Vuçiçit, Kurti e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve. Presidenti serb tha se në takimin e sotëm ka insistuar në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, porse Kurti nuk dëshiron as të flasë për të.

“Serbia i ka pranuar plotësisht ato, pa asnjë kundërshtim. Shqiptarët nuk dëshironin t’i pranonin ato pika dhe është veçanërisht interesante për mua që ata nuk donin ta pranonin atë pikën tjetër, duke u përmbajtur nga veprimet që mund të shkaktonin destabilizim në terren. Unë insistova në Asociacion, kjo ishte pika e parë për të cilën fola. A mendoni se ata e përmendën atë? Jo. Por- serbët kryen gjenocid në 1878, për të mos përmendur se çfarë lloj letërsie sollën për ta mbështetur atë. Thelbi i prezantimit të tyre ishte se Serbia është fajtore për të paktën tri gjenocidet në Kosovë”- tha Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë.

Kurti megjithatë tha se është gënjeshtër se ai nuk ka dashur që ta nënshkruajë deklaratën lidhur me përmbajtjen për veprimet të cilat mund ta destabilizojnë gjendjen në terren. Ai tha se pala serbe ka refuzuar që në deklaratë të futet fjalia lidhur me ballafaqimin me të kaluarën, gjë që e pranoi BE-ja.

Një raund i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në nivel liderësh pritet të mbahen gjatë muajit shtator.