Bie sistemi i platformës për mësim online

Platforma kombëtare e mësimit online pësoi probleme teknike gjatë testimit. Nxënësit të cilët ishin të ftuar nga Ministria e Arsimit të njihen me platformën para fillimit të vitit shkollor, nuk kishin mundësi të futen në profilet e tyre.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë njoftuar se janë duke u zhvilluar testimet, në platformën e vetme kombëtare përmes së cilës do të zhvillohet mësimi në distancë nga 1 tetori i këtij viti. Ata theksojnë se në mënyrë që të sigurohet një platformë plotësisht funksionale deri në fillim të vitit shkollor, testimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se aktualisht po bëhen të gjitha përgatitjet, testimet dhe optimizimet e platformës.

MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS

“Testimi është pjesë e procedurës për arritjen e funksionimit të tërësishëm të platformës, edhe në test fazën detektohen dhe tejkalohen të gjitha sfidat. Me qëllim që të sigurojmë platformë krejtësisht funksionale deri në fillimin e vitit shkollorë, testimet do të vazhdojnë edhe ditët e ardhshme”

Ministrja e arsimit Mila Carovska ka deklaruar se platforma kombëtare siguron mësim në pesë gjuhë dhe do të shfrytëzohet nga 250,000 nxënës dhe 25,000 mësues në shkollat ​​fillore dhe të mesme publike.

Ndryshe një komision prej gjashtë anëtarësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së Kryeministrit shqyrtoi kërkesat e shkollave për mësimdhënie me prani fizike.

Komisioni vendosi të miratojë mësimin me prani fizike për 223 shkolla fillore, një shkollë shtetërore për nxënës me nevoja të veçanta dhe një shkollë shtetërore të muzikës, ndërsa nuk është miratuar ky vendim për 94 shkolla fillore dhe 14 shkolla të mesme. Ndërkaq, mësimi nga klasa e parë deri në klasën e tretë do të zhvillohet me prani fizike.