Bideni do të ndryshojë politikën e ShBA-ve në Ballkan: Kush përfiton e kush është në panik?

Me fitoren e Joe Bidenit, politika e jashtme amerikane do të ndryshojë për shumëçka dhe kryesisht do të kthehet në kornizën që ishte në kohën para administratës së Trumpit. Prioriteti kryesor do të jetë normalizimi i marrëdhënieve aleate dhe të partneritetit me BE-në, veçanërisht shtetet e saj kryesore Gjermaninë dhe Francën. Si pjesë e kësaj, duhet të shohim ndryshimet që kjo do të sjellë në Ballkanin tonë. Shumica e analistëve besojnë se Ballkani nuk do të jetë, të paktën në fillim, prioritet për ekipin e Bidenit, por nuk do të lihet pas dore dhe do të tregohet kujdes për të, derisa të zgjidhen gjërat e tjera, për të siguruar që situata të mos dalë jashtë kontrollit.

Por mund të priten ndryshime në politikën amerikane të Ballkanit, të cilat disa lojtarëve vendas nuk do t’u pëlqejnë, veçanërisht Vuçiqit, Dodikut dhe forcat pro-serbe në Malin e Zi, shkruan gazeta kroate “Jutarnji list”. Së pari, duhet të besohet se Ballkanit nuk do t’i qaset në mënyrë të paparashikueshme, vullnetarisht, nëse është e nevojshme dhe çuditërisht, si kur Serbia dhe Kosova u “detyruan” të zhvendosnin ambasadat në Jeruzalem, por do të trajtohen nga njerëz që i njohin këto zona dhe, si pjesë e interesave amerikane, por edhe në marrëveshje me Brukselin.

Së dyti, Joe Bideni është politikan që i njeh këto pjesë, le të përsërisim se ai bisedoi me Titon si senator i ri në vitin 1979 dhe se në vitet ’90 ai e kuptoi se çfarë po ndodhte këtu në terren dhe ishte ndër të parët që tha se Sllobodan Millosheviq është kriminel i cili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij, ndërsa mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në 1999 për shkak të luftës në Kosovë dhe persekutimin e gati një milion shqiptarëve. Ai përsërit vazhdimisht mbështetjen e tij për një Kosovë të pavarur. Pikërisht kjo është arsyeja pse Vuçiqi është bukur në panik për shkak të largimit të Trumpit, dhe ishte ndër të fundit që uroi Bidenin, me mesazhin, për nevoja të brendshme, se “ai nuk do t’i ndërhyhet”.

Bideni shprehu mbështetje për integritetin e BeH-së, kështu që disa analistë besojnë se perëndimi i Milorad Dodikut filloi me mbërritjen e tij. Ndoshta në këtë drejtim mund të presim ose supozojmë largim të Dragan Çoviqit nga Dodiku. Çoviqi ishte i pari në BeH që e përgëzoi atë për fitoren. Ndryshe nga Trumpi, Bideni do të forcojë NATO-n dhe rolin e tij në këtë fushë, e cila do të shkojë paralelisht me priroritetet dhe synimet euro-atlantike të BeH-së.

Forcat pro-malazeze në Podgoricë po llogarisin gjithashtu në forcimin e NATO-s. Gjegjësisht, me ndryshimin e qeverisë në Malin e Zi (qeveria ende nuk është formuar), është thënë që kërkesa për tërheqjen e Malit të Zi nga NATO mund të shfaqet në një farë kohe, por meqë Bideni do të ketë përsëri në qendër të agjendës globale të sigurisë dhe politikës së SHBA forcimin e NATO-s, sigurisht që kjo nuk do të jetë e lehtë për tu bërë.

Maqedonia Veriore ka të ngjarë të përfitojë gjithashtu nga pozicioni i forcimit të NATO-s dhe Uashingtoni mund të pritet të ndikojë në qëndrimin e Bullgarisë në pranimin e Shkupit në BE (kujtojmë që Sofja tashmë ka paralajmëruar bllokadë në fillimin e negociatave të BE-së me Maqedoninë).

Përveç kësaj, ardhja e Bidenit në pushtet ka prishur pozicionimin e Rusisë në këtë zonë, në të cilën mbështeteshin veçanërisht Serbia dhe Republika Sërpska. Fakti që Bideni e ka vendosur edhe një herë Rusinë në ballë të “armikut” kryesor të Perëndimit gjithashtu ndryshon pozicionin e këtij vendi për problemet në Ballkan dhe pritet që të ndikojë në uljen e ndikimin të Moskës, shkruan agzeta kroate.