Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ndau Çmimin e Madh Vjetor për Arkitekturë, Besian Mehmetit, arkitektit që ndërtoi shkollën fillore ‘Kiro Gligorov’ në Shkup, së bashku me ekipin e tij arkitektëve Stefan Atanasoski, Nikola Kungulovski dhe Armend Hebibi. Ky çmim jepet nga Shoqata e Arkitektëve të Maqedonisë së Veriut ndërsa për ceremoninë u kujdes vetë Presidenti i Shtetit. Pendarovski në fjalimin e tij theksoi se çdo vepër arkitekturore, ndër të tjera, është rezultat i një seri kompromisesh, qoftë buxhetore, hapësinore apo kohore.
“Unë jam i bindur se kompromisi më i madh që duhet të mësojmë të bëjmë, është kompromisi në favor të një ambienti të shëndetshëm dhe hapësirës njerëzore. Nëse duam që ndërtesat e gjeneratës sonë t’i rezistojnë provës së kohës, ato duhet t’i mishërojnë solidaritet me njerëzit dhe qëndrueshmërisë me natyrën,” tha Presidenti Pendarovski.
Në fjalimin e tij, ai kujtoi përvojën e fundit jashtëzakonisht negative, kur politikanët ishin arkitektë, dhe arkitektët thjesht ekzekutues të ideve të tyre duke ju bërë thirrje që të gjithë arkitektët të mos bëjnë kurrë kompromise me integritetin personal dhe profesional të tyre.
Besian Mehmeti nga Tetova, u cilësua si arkitekti më i mirë për shkollën më të bukur të ndërtuar ndonjëherë në Maqedoni.
Punimet për shkollën ‘Kiro Gligorov’ filluan në vitin 2016 me një buxhet prej 5.5 milionë eurosh. Shkolla e projektuar nga Mehmeti ka një hapësirë prej 12.100 metra katrorë dhe është një objekt modern me 21 klasa, akustikë perfekte, 7 kabinete të specializuara për lëndë të posaçme, kuzhinë, salla sporti dhe qendër të specializuar për fëmijë me paraliza cerebrale si dhe shumë hapësira të tjera për zhvillim e procesit mësimor në mënyrë të rregullt.