“Besa Trans”-it i merret licenca për veprimtari turistike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka konfirmuar se sot në Ministrinë e Ekonomisë është dorëzuar raporti me të cilin Inspektorati Shtetëror i Tregut kërkon marrjen e licencës për veprimtari turistike për agjencinë turistike “Besa Trans”.

Bekteshi njoftoi se licenca do t’i merret nesër.

“Shërbimet e Ministrisë së Ekonomisë më informuan se gjatë ditës së sotme vetëm se ka mbërritur raporti i Inspektoratit të Tregut sa i përket shfuqizimit të licencës për veprimtari turistike “Besa Trans” dhe që nga nesër do t’i shfuqizohet licenca për veprimtari turistike të agjencisë turistike “Besa trans””, tha Bekteshi, transmeton TV21.

Kujtojmë se parregullsitë në funksionimin e “Besa trans” dolën në pah pas aksidentit të 23-nëntorit në Bullgari, ku autobusi i kësaj kompanie, teksa kthehej nga Turqia në Maqedoninë e Veriut, u aksidentua në Bullgari duke ua marrë jetën 45 personave.