Belgjikë, rritet në 8.707 numri i të vdekurve nga COVID-19

Me 62 vdekjet e reja numri i të vdekurve që nga fillimi i pandemisë COVID-19 ka arritur në 8.707 në Belgjikë.

Në një deklaratë nga Qendra e Krizës në Belgjikë njoftohet se me 368 raste të reja në 24 orët e fundit numri i rasteve me COVID-19 në vend është rritur në 53.449, ndërsa me 62 vdekjet e reja numri i të vdekurve që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 8.707, ku 48 për qind e tyre janë shënuar në spitale, ndërsa 51 për qind në shtëpitë e të moshuarve.

Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë shtruar në spital 60 persona, ndërsa 55 persona janë shëruar.

– Faza e dytë për normalizim

Sipas vendimit të Këshillit të Sigurisë së Belgjikës, duke filluar që nga sot në vend do të hapen të gjitha dyqanet me kusht ruajtjen e rregullave të distancimit social.

Në vend planifikohet që më 18 maj të hapen shkollat gradualisht, ndërsa do të lejohen me kushte të përcaktuara kryeja e aktiviteteve si dasma dhe ceremoni mortore.

Sipas ecurisë së pandemisë, qeveria në Belgjikë do të kalojë në fazën e tretë më 8 qershor, ku në këtë fazë parashikohet hapja e restoranteve dhe kafeneve. Festivalet dhe aktivitetet masive do të jenë të ndaluara deri më 31 gusht.

Gjithashtu deri më 31 korrik nuk do të zhvillohen garat sportive për amatorë dhe ato profesionale.

Datat e përcaktuara mund të ndryshojnë në rast të rritjes së numrit të rasteve të COVID-19.