Bëhen homazhe në Prezak

Udhëheqës të institucioneve të Kosovës, kanë kryer të shtunën homazhe në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Manifestimi ‘Epopeja e UÇK-së’, ka nisur të premten, zgjat tri ditë, dhe zhvillohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.

Ky organizim realizohet për përkujtimin e Adem Jasharit, i cili njihet si komandat legjendar i UÇK-së.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka thënë nga Skenderaj se sakrifica e familjes Jashari ka rezultuar me lirinë e Kosovës, rrjedhimisht me shtetin e Kosovës.

“E kemi borxh, jo vetëm ne që e kemi shumë të freskët kujtesën e 5, 6 dhe 7 marsit, por e kemi borxh që kujtesën historike, e mbi të gjitha ndjenjën e mirënjohjes të thellë, ta bartim brez pas brezi, në mënyrë që edhe fëmijët tanë, por edhe fëmijët e fëmijëve tanë, ta kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi që pagoi populli shqiptar në mënyrë që sot ta kemi shtetin tonë dhe sot ta gëzojmë lirinë tonë”, ka thënë Osmani.

Homazhe pranë varreve të familjes Jashari, ka bërë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se po qëndron në Prekaz për të treguar respektin e qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për familjen Jashari.

“Për të treguar respektin tonë, të qeverisë, të popullit shqiptar për sakrificën e jashtëzakonshme të kësaj familje që është e përmasave historike dhe jam i bindur që kalon çfarëdo sakrifice që mund të bëjë dikush për lirinë dhe pavarësinë e vendit ”, është shprehur ai.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se për krimet në familjen Jashari ende nuk është gjykuar askush.

“Për këtë sulm të Serbisë ndaj familjes legjendare Jashari askush nuk është gjykuar dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë. Drejtësia është vonuar sepse s’ka filluar. Prandaj, ne duhet të angazhohemi si institucione, që kjo të ndryshojë për hir të Republikës se Kosovës, për hir të pasardhësve të Jasharajve dhe për hir të se ardhmes se popullit dhe kombit tonë në përgjithësi” ka deklaruar ai.

Njëzetetrevjet më parë, në Prekaz të Skenderajt, gjatë sulmeve të forcave serbe të sigurisë në këtë fshat, janë vrarë më shumë se pesëdhjetë anëtarë të familjes Jashari.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.