BE transferon 100 azilkërkues drejt Gjermanisë dhe Finlandës

Rreth 100 azilkërkues, përfshirë minorenë, u transferuan nga Greqia dhe Qiproja drejt Gjermanisë dhe Finlandës, njoftoi sot agjencia e koordinimit të azilit për Bashkimin Europian, transmeton ATSH.

”Transferimi i parë i 83 anëtarëve të familjeve me fëmijë të sëmurë rëndë, u krye më 24 korrik mes Greqisë dhe Gjermanisë”, deklaroi Zyra europiane e Mbështetjes së Azilit. (EASO).

Operacioni është pjesë e një projekti të BE-së për rilokalizimin e 1 600 minorenëve në vende të ndryshme europiane.

Projekti është mbështetur nga Komisioni Europian, Komisariati i Lartë i OKB për refugjatët dhe Organizata Ndërkombëtare për migracionin.

Një operacion i dytë, jo pjesë e projektit të BE-së të rilokalizimit, u zhvillua më 27 korrik me transferimin mes Qipros dhe Finlandës të 16 somalezëve dhe kongolezëve që vinin nga familje me vetëm një prind.

“Të gjithë iu nënshtruan testeve të depistimit për COVID-19 para se të largoheshin nga Qipro dhe Greqia”, konfirmoi EASO.

Greqia numëron rreth 5 000 migrantë minorenë, pjesë më e madhe të cilëve jetojnë në kushte shumë të këqija brenda kampeve të refugjatëve, ose në banesa të papërshtatshme për ata.

Dhjetëra mijëra azilkërkues janë bllokuar në Greqi që prej vitit 2016 kur disa shtete mbyllën kufijtë në përgjigje të fluksit të migrantëve dhe refugjatëve, kryesisht nga Siria në luftë.

Shumë vende europiane kanë pranuar të bëjnë një përjashtim për minorenët. Një numër i vogël prej tyre janë transferuar në Portugali, Luksemburg dhe në Gjermani.