BE: “Substanca aktive” e vaksinës antiCOVID-19 do të prodhohet në Belgjikë

Substanca aktive e një vaksine të mundshme kundër koronavirusit, njoftuar nga grupi farmaceutik “AstraZeneca” do të prodhohet nga kompania franceze Novasep në qendrën belge të Seneffes, sipas një komunikate.

“Novasep, kompani franceze dhe lider europian në prodhimin e vektorëve viralë, njoftoi se kishte nënshkruar një partneritet me kompaninë biofarmaceutike “AstraZeneca” në kuadër të prodhimit për Europën të vaksinës nga Universiteti i Oksfordit, që parashikon të parandalojë infektimin me COVID-19″, thekson komunikata.

“Operacionet e prodhimit do të kryhen në qendrën belge të Novasep në Seneffe”, nënvizon kompania franceze, e cila do të jetë në gjendje të mbështetet në ekosistemin vendor biofarmaceutik për të mobilizuar sa më shpejt burimet njerëzore shtesë të nevojshme për realizimin e këtij projekti.

Dje grupi farmaceutik njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje me Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Holandën për të garantuar furnizimin në BE të 300 milion doza të një vaksine të mundshme kundër koronavirusit.