BE-ja dhe Britania nisin rundin e parafundit të bisedimeve tregtare

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian e kanë nisur rundin e parafundit të bisedimeve tregtare të hënën para afatit të qershorit për arritjen e pajtimit të mundshëm për negociata shtesë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, vazhdimisht ka refuzuar që ta zgjasë periudhën kalimtare përtej fundit të këtij viti në mënyrë që të dyja palët të kenë më shumë kohë për arritjen e marrëveshjes rreth raporteve të reja.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian po bën përpjekje për të shënuar përparim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ku do të prekeshin peshkataria, fusha e sigurisë dhe garantimi i konkurrencës së drejtë. Sidoqoftë, Londra është më tepër e interesuar për një marrëveshje më të ngushtë tregtare, e cila do të zbatohej nga viti 2021.

Të dyja palët kanë ngulur këmbë në pozicionet e tyre dhe procesi i bisedimeve është ndërlikuar edhe shkaku i pandemisë, që po e merr shumicën e vëmendjes politike në të dyja anët e Kanalit Anglez, shkruan “Reuters”.

Në rundin e bisedimeve të kësaj jave pritet të diskutohet tregtia e mallrave dhe shërbimeve, peshkataria, transporti, aviacioni, energjia dhe disa çështje të tjera. Një rund tjetër i negociatave është planifikuar të zhvillohet nga 1 qershori.

Në fund të qershorit është afati i fundit kur palët duhet ta vlerësojnë përparimin e bërë në bisedime dhe të pajtohen për vazhdimin e mundshëm të tyre.