BE-ja dërgon ekip mjekësor dhe ndihmë në Itali

Rumania dhe Norvegjia, përmes mekanizmit të BE-së për mbrojtje civile, dërgon një ekip të mjekëve dhe infermierëve për të ndihmuar mjekët vendas në Itali, komunikoi sot Komisioni Evropian.
Mekanizmi i BE-së për mbrojtje civile, ka për qëllim ta koordinojë përgjigjen e BE-së në situata krize.

Personeli mjekësor rumun dhe norvegjez do të dërgohet menjëherë në Milano dhe Bergamo, ndërsa Austria ka ofruar të dërgojë 3.000 litra xhel dezinfektues në Itali.

“Këta mjekë dhe infermierë, të cilët largohen nga shtëpitë e tyre për të ndihmuar kolegët në vendet e tjera anëtare, janë fytyra e vërtetë e solidaritetit evropian. E gjithë Evropa është krenare për ju”, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.

Vende të tjera të BE-së gjithashtu kanë dërguar pajisje mbrojtëse dhe kanë marrë pacientë italianë në spitalet e tyre për të lehtësuar presionin ndaj sistemit shëndetësor italian, informoi Komisioni Evropian.