Banorët e Mavrovës të frikësuar pas tërmetit, dëmi material i vogël por fshatrat pa ujë të pijshëm

zhvilluar në Maqedoni, Komuna e Mavrovës gjatë ditës së djeshme ishte epiqendra e disa tërmeteve, ku më i madhi i cili u ndje në orët e para të mëngjesit ishte mbi 5.5 ballë. Ekipi i Televizionit 21 gjatë ditës së sotme ka qëndruar në këtë komunë dhe ka vizituar disa fshatra të cilat pësuan dëme materiale.

Kryetari i kësaj komune, Medat Kurtovski thotë se rreth 15 shtëpi kanë marrë dëmtime të vogla nga tërmeti ndërsa komuna është duke krijuar një komision për vlerësimin e dëmeve materiale.

“Kishte disa tërmete nga të cilat dy ishin më të fuqishme, rreth 5 ballë, dhe është normale se është krijuar frikë tek qytetarët. Tani siç duket qytetarët janë qetësuar dhe shpresojmë se në të ardhmen nuk do të na ndodhin tërmete më të mëdha. Si rezultat i tërmetit dëm pësuan rreth 15 shtëpi, përkatësisht objekte që janë ndërtuar shumë kohë më parë, pra ndërtime të vjetra. Nga ana e komunës do të krijohet një ekip që do të dalë në terren të vërtetojë dëmet dhe më pas të gjejmë një mënyrë të kompensojmë dëmin e shkaktuar tek qytetarët”, deklaroi Medat Kurtovski, kryetar i komunës së Mavrovë dhe Rostushë.

Banorët e Rostushës thonë se tërmeti në këtë vendbanim nuk ka shkaktuar dëme materiale por të gjithë banorët kanë dalë në rrugë në orët e mëngjesit kur edhe janë ndjerë lëkundjet më të fuqishme.

“Tërmeti ishte shumë i fuqishëm, edhe më të moshuarit thonë, se unë jam vonë i lindur, se ka pasur edhe një tërmet të këtillë në vitin 1963. Ishte një tërmet i fuqishëm, normal se mbizotëronte frika, ka pasur dridhje pesë minuta, ka disa dëme të vogla materiale gjë që rregullohet. Shpresojmë se nuk do të ketë më raste të këtilla. Edhe dje gjatë ditës kishte tërmete me lëkundje më të vogla, gjatë ditës së sotme nuk kemi ndjerë ndonjë lëkundje, të paktën mesa e di unë.”

Në fshatin Nikoforovë dëmtimi i shtëpive ka qenë më i madh. Pamjet tregojnë se shtëpitë e vjetra kanë pësuar dëmtime më të mëdha, ata që janë të ndërtuara me baltë dhe gurë janë dëmtuar më shumë ndërsa objektet e tjera kanë marrë vetëm plasaritje të vogla.

“Jemi në fshatin Leunovë në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, ku ka qenë edhe epiqendra e tërmeteve gjatë ditës së djeshme. Banorët nuk duan të flasin shumë para kamerave, ata që takuam thonë se kanë përjetuar një frikë të madhe nga dridhjet që ka shkaktuar tërmeti, dëmet materiale dhe pse nuk janë të mëdhaja frika mes banorëve ekziston akoma.”

Disa banorë të Leunovës treguan para kamerave përjetimet e tërmetit, ata thonë se akoma janë të frikësuar.

”Ishte pak e frikshme, jo normale, u frikësuam se erdhi ashtu papritur, ishim në gjumë kur filloi gjithçka të lëkundet, në fillim edhe nuk e dinim se çka ishte. Me bashkëshortin u habitëm por për fat të mirë ishte i shkurtër, gjithçka lëvizte, djali nuk ishte për fat të mirë këtu, ishte me nënën dhe babën e vet, nuk ka dëgjuar asgjë por ne u frikësuam shumë se edhe shtëpia është e vjetër, tham mos shembet, por dëme nuk ka për fat të mirë.”

“Njerëzit janë të ndryshëm, unë për vete e pash llambën se u drodh dhe u ktheva në krahun tjetër. Normal që frikësohen, në një lagje në Rostushë të gjithë kanë dalë jashtë dhe çdo kush frikësohet për jetën e tij dhe kjo është normale.”

Fshatrat e Komunës së Mavrovës dhe Rostushës i lam më frikën nga tërmetet e ditës së djeshme. Për kundër kësaj, fshatin Leunovë dhe Nikoforovë edhe pa ujë të pijshëm. Nga komuna thonë se presin që të qetësohen burimet dhe më pas të pastrohen, ndërsa për banorët do të sigurohet uji në mënyra alternative.