“Maskat, dorezat, dezinfektuesit dhe distanca fizike do të jenë të pandashëm nga ky proces zgjedhor. Por, sa këto masa do të jenë të mjaftueshme për t’u siguruar mbrojtja e shëndetit të votuesve dhe mbrojtja e shëndetit të anëtarëve të këshillave zgjedhor, ka akoma dilema”.
Problem më i madh do të jenë hapësirat e ngushta nëpër shkolla dhe institucione të tjera ku janë vendvotimet. Në hapësira prej vetëm disa metra katror do të duhet të qëndrojnë 10-15 persona, anëtarët e këshillit zgjedhor, vëzhguesit e partive politike, vëzhguesit e akredituar vendas dhe të huaj si dhe vetë votuesi. Ata obligohen të mbajnë maska dhe doreza por protokolli nuk parashikon distancën brenda vendvotimit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kërkoi besimin e qytetarëve dhe njoftoi se në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore do të hartojnë rregulla dhe protokolle të tjera për mbrojtjen e shëndetit të pjesëmarrësve në proces.
Do të sigurojmë qasje pak më të ndryshme në vendvotime, do të sigurojmë vendvotime me hapësira pak më të mëdha, me mundësi për ajrosje të vendit të votimit gjatë gjithë ditës. Kuptohet, këtë nuk mund ta bëjmë 100% për shkak të kushteve në vendin tonë por unë shpresoj se do ta bëjmë në përqindjen më të madhe të mundshme – tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.
Nuk është akoma e qartë se si dhe kur autoritetet do të fillojnë bashkëpunojnë në këtë drejtim dhe nëse do të plotësohet ose ndryshohet protokolli tashmë i miratuar.