ASH: Ndotja edhe këtë vit në masa të larta

Ishte pikërisht kjo periudhë e vitit të kaluar kur ndotja e ajrit arriti nivelin kulminant ne rajonin e Shkupit, e njëjtë si ndotja e ajrit kulminante ishin edhe premtimet e qeveritarëve për zgjidhje të këtij problemi. Por, fatkeqësisht kuptuam se te gjitha ishin vetëm premtime boshe për politikë ditore.

Ndotja po vazhdon edhe këtë vit në masa të larta. Aleanca për Shqiptarët disa muaj më parë kërkoi shpjegim nga Ministria e Shëndetësisë, Qyteti i Shkupit e organet tjera kompetente për atë se pse mazuti vazhdon të përdoret si lëndë djegëse në spitale dhe institucione tjera shtetërore, për të cilat ishte premtuar se do të kalojnë në sistemin me gaz. Por, nuk do shumë mend të kuptohet se gjithçka për këtë qeveri mbetet vetëm projekt në letër, sepse edhe arsyetimet e tyre janë të tilla.

Qytetarët vazhdojnë të ngulfaten në ajër të ndotur nga vetë shteti, e funksionarëve kjo as që ju pengon sepse ata për vete kanë porositur edhe pastrues te ajrit për hapësira të mbyllura(të qeverisë) me paratë e popullit.

Aleanca për Shqiptarët kërkon zgjidhje urgjente dhe realizim të premtimeve, e jo shfrytëzim të tyre si vegël premtuese e radhës. Të ndërmerren masa konkrete për uljen e ndotjes së ajrit, që qytetarët të mos paguajnë faturat e pushtetit me shëndetin e tyre.

Aleanca për Shqiptarët – Dega Çair