Artan Grubi mund t’i shpëtojë “atentatit” nga Izet Mexhiti, Bujar Osmani shkon “kurban”
Në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), mbretëron heshtje lidhur me informacionin e djeshëm se vetë nënkryetari dhe deputeti i kësaj partie, Izet Mexhiti, do të propozojë interpelancë (shkarkim në Kuvend) të dy ministrave nga radhët e BDI-së: zv/kryeministrit Artan Grubi dhe ministrit të punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Askush në BDI nuk dëshiron tw dalë me qëndrim zyrtar lidhur me këtë informacion, por mungesa e demantit nga Izet Mexhitit, e bën informacionin në fjalë mjaft të besueshëm.
Aq më tepër kur Mexhiti edhe para formimit të qeverisë deri në moment të fundit dëshironte të bllokojë formimin e saj, pikërisht për shkak të Grubit e Osmanit. Madje edhe pasi emrat e tyre ishin shpallur nga vetë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në rast se Mexhiti vërtet propozon interpelancë për Grubin dhe Osmanin, ata vështirë se mund të shpëtojnë “kokën”. Sipas kalkulimeve logjike në skenën politike dhe në bazë të qëndrimeve të shprehura publike, shkarkimin e Grubit dhe Osmanit duhet ta përkrahin 58 deputetët opozitarë (44 VMRO-DPMNE, 12 ASH-Alternativa dhe 2 nga Levica).
Nëse grupi i Izet Mexhitit ende ka tre deputetë në BDI (vetë ai, Merita Koxhaxhiku dhe Artan Zyberi), atëherë shkarkimi i Grubit dhe Osmanit është punë e kryer, shkruan gazeta Lajm. Nëse kemi parasysh se Artan Grubi dhe Bujar Osmani nuk gëzojnë as simpatitë e kryeparlamentarit Talat Xhaferi dhe nënkryetarit të BDI-së, Sadulla Durakut, atëherë shpresat për mbijetesë të Grubit dhe Osmanit mbështeten vetëm te përkrahja eventuale nga 4-5 deputetë të VMRO-DPMNE-së, ose partnerëve të vegjël të Mickovskit. Ata nuk kanë nevojë të votojnë pro-Grubit dhe Osmanit, mjafton të mos votojnë, ose të mos vijnë në Kuvend. Prandaj, kjo interpelancë eventuale, do të nxjerrë në sipërfaqe edhe ndikimin që (s)’e ka Sasho Mijallkov te grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së.
Çka do të ndodhë me Qeverinë, nëse krijohet shumicë për shkarkimin e Grubit dhe Osmanit?
Në rast se krijohet shumicë për shkarkimin e Grubit dhe Osmanit, hapen shumë dilema se çka do të ndodhë me qeverinë. Parashtrohet pyetja nëse pastaj do të mund të krijohet shumicë e re që do të votojë ministra në vend të Grubit e Osmanit, që do të ishin të pranueshëm edhe për grupacionin e Izet Mexhitit? Për të ju ikur gjitha këtyre kombinatorikave, e veçanërisht mundësisë që Osmani dhe Grubi të mbiejtojnë me ndihmën e deputetëve të VMRO-DPMNE-së që i kontrollon Mijallkovi, gazeta Lajm merr vesh se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka filluar të zhvillojë negociata për të gjetur kompromis me të pakënaqurit nga puna e Grubit dhe Osmanit.
Si rezultat i këtyre negociatave, burime partiake thonë se ka gjasa që Osmani pas 100 ditëve të qeverisë të humb postin e tij ministror, kurse Grubi si njeri i afërt i Ahmetit, të mbiejtojë. Mirëpo nuk përjashtohet as mundësia që Artan Grubi të lëshojë postin e zv/kryeministrit dhe të kalojë në ministrinë e punëve të jashtme në vend të Bujar Osmanit, kurse në ved të Grubit post zëvendës kryeministror të fitojë kuadër i afërt me grupin e Izet Mexhitit.






