Arsimtari nga Kumanova fiton drejtësinë pas disa muaj maltretime (Dokument)

Pas disa muajve maltretime, arsimtari shqiptar nga Kumanova, Sedat Zulbehari, ka fituar drejtësinë para organeve të gjyqësisë. Zulbehari u suspendua nga puna nën akuzën se diplomën e ka të falsifikuar. Mirëpo pas procesit gjyqësor është konfirmuar se diploma e tij e Universitetit të Prishtinës është në rregull, por se i kanë munguar përkohësisht vetëm disa dokumente plotësuese.
Kolegët e Sedatit thonë se rasti ka pasur prapavijë.
“Prokuroria ka dëshmuar se arsimtari ka diplomë të rregullt nga UP. Kjo si doket vërteton pretendimet e atëhershme të kolegëve që e njihnin arsimtarin Sedat Zulbearin, se bëhet fjalë për inskenim me qëllime të ulta përfitimi. Zyrtari i një partie në pushtet ka dashur ta largojë Sedatin dhe në vendin e tij ta punësojë bashkëshorten. Ky ka qenë shkaku kryesor pse deshën ta fusin në grackë kolegun tonë, të cilin mbarë Kumanova e njeh si arsimtar të ndershëm dhe të respektuar”, kanë thënë shokët e Sedatit.
Gjithçka ka filluar pas një konkursi të shpallur në shkollën “Bajram Shabani” për punësimin e një arsimtari. “Sedati, me mbi shtatë vite përvojë punë, ka qenë kandidati kryesor për t’u pranuar. Që ta përjashtojnë nga konkurrenca, përmes lidhjeve në MPB ia problematizuan diplomën e tij. Më tragjikja e këtij rasti është se denoncimi i rrejshëm në inspektorat dhe në polici është bërë nga individë dhe grupe interesi me moral të ulët e të afërt me pushtetarët për përfitime personale. Në fakt këta persona për të eliminuar nga konkurrenca e punësimit , fill para hapjes së konkursit në këtë shkollë për punësim të një mësimëdhënësi të matematikës , e duke qenë të vetëdijshëm se i njëjti i në bazë të kushteve do të kishte përparësi punësimi, kurse verifikimi i denoncimit do të marrë kohë dhe i njejti nuk do mundët të konkurrojë kanë bërë denoncimin e rrejshëm. Tash verifikimin e të diplomuarit i cili nuk i përket klaneve politike duhet ta bëjnë të padiplomuarit politik. Ky është realiteti në të cilin jetojmë ne…..mjerimi jonë. Kemi arritur fundin…”, theksojnë kolegët e Sedatit.

E këtë e vërteton edhe vendimi i Prokurorisë, me të cilin hedhet poshtë akuza e ngritur prej policisë.
“Me vendim të prokurorisë, pas hetimit dhe mbledhjes së dëshmive, hidhet poshtë si e pa bazë kërkesa e MPB për ngritjen e padisë penale për falsifikim diplome ndaj arsimtarit S.Z. (51) nga Kumanova.
Vetë Sedat Zulbehari nuk dëshiron ta komentojë rastin, por vetëm thekson se është më se i kënaqur që drejtësia më në fund doli në shesh dhe që tani mund të vazhdojë punën pa pengesë.