Arbër Ademi shërohet nga Covid-19, u rikthehet aktiviteteve si ministër

Ministri i Arsimit dhe Shkencës në largim, Arbër Ademi ka njoftuar se është shëruar nga virusi Covid-19 dhe se prej sot do t’u rikthehet aktiviteteve në Ministri.

“Sfida me Covid-19 mbaroi, përfundimisht! Pas dy testimeve të njëpasnjëshme ku rezultova negativ, prej nesër i kthehem aktiviteteve dhe shumë punëve që na presin. Ju porosis të keni kujdes, të mbani maska dhe distancën. Faleminderit nga zemra për kujdesin që keni treguar, me ju e kisha shumë më të lehtë!”, shkroi Ademi në faqen zyrtare të tij në “Fejsbuk”.

Për shkak të izolimit nga Covid-19, Ademi nuk ka qenë aktiv si ministër, por në një brifing online që u mbajt ditën e premte, njoftoi se këto ditë priten të sillen protokollet arsimore me të cilat parashihet saktë se si dhe në çfarë forme do të zhvillohet procesi arsimor nga 1 shtatori. /TV21

Sipas paralajmërimeve, procesi arsimor do të zhvillohet në tre forma:

  • me prani fizike – nxënësit dhe mësimdhënësit do të mbajnë maskë dhe do ta ruajnë distancën fizike
  • e kombinuar – në rast se klasa ka më shumë se 15 nxënës, ndahet në dy grupe. Njëri grup do të mësojë në shkollë, tjetri nga shtëpia. Grupet do të bëjnë rotacion çdo një apo dy javë.
  • online – për nxënësit me sëmundje kronike dhe në vendet që do të ketë numër të lartë të të infektuarve nga Covid-19.