Angellovska: Rënie e projektuar prej 3.7 për qind, rezultat pozitiv ekonomik në tremujorin e katërt

Ministria e Financave pret rënie të ekonomisë prej rreth 3,7 për qind, në krahasim me parashikimet e FMN-së që parashikojnë rënie prej katër për qind.

Siç tha sot ministrja e Financave, Nina Angellovska, parashikimet përpunohen çdo ditë, monitorohen edhe ato të vendeve të tjera, veçanërisht të vendeve me të cilat kemi tregti, siç është Gjermania dhe në përputhje me rrethanat është e mundur që të ketë disa korrigjime të caktuara në parashikime.

“Parashikimet vjetore të Ministrisë së Financave nuk janë bërë publike akoma, por ato janë në përputhje me parashikimet e FMN-së. Pak më e vogël është rënia që në e parashikojmë, rreth 3.7 për qind, krahasuar me katër për qind të FMN-së. Goditja më e madhe pritet në tremujorin e dytë, pastaj një tkurrje e caktuar në tremujorin e tretë, dukshëm më e ulët se e dyta, ndërsa në tremujorin e katërt pritet stabilizimi dhe një rezultat pozitiv ekonomik”, theksoi Angellovska.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës për shtyp në të cilën e kumtoi linjën e dytë të kredisë pa interes “KOVID-2” për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ministrja theksoi se faza e hapjes së ekonomisë do të fillojë së shpejti.

Ajo nuk saktësoi kur saktësisht objektet e hotelerisë do të fillojnë të funksionojnë, por iu referua deklaratës së Ministrit të Shëndetësisë, sipas së cilës lirimi pritet në maj.

“Po punohet në përgatitjen e një plani për rihapjen e ekonomisë, hap pas hapi, gradualisht, në varësi për cilin sektor bëhet fjalë. Është formuar një ekip i cili punon me Odat ekonomike, departamentet ekonomike, Ministrinë e Shëndetësisë dhe epidemiologët për të hartuar një plan për hapjen graduale dhe cilët do të jenë sektorët të cilët me kohë mund të presin të hapen dhe të përgatiten për protokolle të caktuara në kohën e duhur të cilat duhet t’i respektojnë. Të gjithëve na mungon jeta normale dhe duam që ajo të kthehet shpejt, por shëndeti vjen në radhë të parë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë situatë. Ministri i Shëndetësisë tha se pritjet janë për muajin maj, por qoftë javën e tretë, gjysma e dytë është shumë herët për t’u thënë, sepse kjo varet nga kurba e lëvizjes së rasteve të reja”, tha Angellovska.