Ambasadori kinez në Shkup, Xhang paralajmëron heqjen e vizave

Zgjerimi i bashkëpunimit bilateral në sferat e tregtisë, investimeve, energjetikës, bujqësisë, infrastrukturës, kulturës, turizmit, arsimit, shkencës, teknologjisë, mjekësisë tradicionale kineze, paralajmëroi sot ambasadori kinez në vend Xhang Xuo në konferencën për shtyp, në të cilën i bëri të ditura hollësitë nga bashkëpunimi i deritanishëm me Maqedoninë e Veriut, por i theksoi edhe sfidat kryesore me të cilat është përballur vendi i tij, vitin e kaluar, kur e shënoi 70-vjetorin e themelimit. Ai paralajmëroi se këtë vit dy vendet do të punojnë në drejtim të vendosjes së regjimit pa viza.

Ndihma financiare me vlerë totale deri në 355 milionë juanë (45 milionë euro) ka siguruar Kina për Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike deri më sot. Në kuadër të asaj ndihme janë përfshirë sferat e arsimit, mjekësisë, sistemit shëndetësor, hulumtimet shkencore.

Xhang përkujtoi se në korrik ishte lëshuar në përdorim faza e parë e sistemit edukativ për arsim nga largësia, i ndërtuar me 47 milionë juanë (gjashtë milionë euro) resurse – ndihmë të pakthyeshme nga Kina, ndërsa grupi i dytë i mjeteve në vlerë prej 30 milionë juanë (3,8 milionë euro), gjithashtu, janë të gatshme për përdorim.

Ai theksoi se në dhjetor të vitit të kaluar është nënshkruar marrëveshje për donacion në sferën shëndetësore dhe sociale, në vlerë prej 30 milionë juanë (3,8 milionë euro), ndërsa për laborator për biomolekula nga Fakulteti Natyror-Matematikor pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” janë siguruar 620 mijë juanë (70 mijë euro).

Ambasadori kinez nuk tha konkretisht se çfarë investime planifikon Kina për këtë vit, por si sfera në të cilat më së shumti do të vendoset fokusi i përmendi produktet bujqësore, kulturës dhe turizmit, mbrojtje të mjedisit jetësor…

Bashkëpunimi është thelluar edhe në bazë të Procesit 17 pus një, ndërsa me sukses është mbajtur edhe Forumi i katërt i ministrave për bashkëpunim kulturor në kuadër të 17 plus një në Shkup.

Xhang përmendi se vendi duke përdorur kredi nga Kina me kamatë të ultë zyrtarisht ishte lëshuar në përdorim autostrada Milladinovc-Shtip, ndërsa ka përfunduar edhe pjesa më e komplikuar e tunelit të autostradës Kërçovë-Ohër.

Numri i turistëve kinezë, të cilët e kishin vizituar vendin ka arritur 14 mijë, ndërsa vëllimi tregtar mes të dyja vendeve ka arritur rreth 650 milionë dollarë amerikanë, me çka Kina mbetet partneri më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut nga Evropa.

Ambasadori kinez deklaroi se ky vit është i rëndësishëm në realizimin e bashkëpunimit më cilësor mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në gjysmën e parë të këtij viti do të mbahet samiti i liderëve shtetërorë të Kinës dhe të vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Tema e samitit do të jetë ndërveprimi, inovacioni i gjelbër, hapja dhe interesi i përgjithshëm.

Ai në takimin e sotëm me gazetarët foli edhe për sfidat me të cilat ishte përballur vendi i tij vitin e kaluar, të cilin e vlerësoi si të mundimshëm. Kina, siç tha, ishte përballur me një mjedis të komplikuar ndërkombëtar, ekonomia kineze e ka treguar elasticitetin e saj, ndërsa në marrëdhëniet ndërkombëtare vendi i tij udhëhiqej nga parimet e multilaterizmit, drejtësisë ndërkombëtare.

Në pyetjen se cili është qëndrimi i Kinës për ngjarjet e fundit në relacionin SHBA-Iran, pas vrasjes së gjeneralit iranian Kasim Sulejmani, Xhang potencoi se Kina gjithmonë ishte kundër përdorimit të forcës në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Xhang foli edhe për marrëdhëniet e Kinës me Evropën, të cilat i cilësoi si stabile, ndërsa diplomacinë kineze në vitin 2019 e përshkroi me fjalët këmbëngulje, qëndrueshmëri dhe vendosmëri.

Ai e përmendi edhe Hong-Kongun, duke theksuar se Kina me vendosmëri e zbaton politikën “një vend, dy sisteme” dhe e mbështet Qeverinë e Rajonit Special Administrativ Hong-Kong që të ndalojë me dhunën dhe të kthehet rendi sa më shpejtë që është e mundur.

Ai theksoi se Kina u bë pjesë e rëndësishme e kauzës ndërkombëtare për luftë kundër terrorizmit dhe përmendi se kategorikisht kundërshton çfarëdo lloj marrëdhëniesh zyrtare mes Tajvanit dhe vendeve, të cilat kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën, e cila për momentin ka vendosur marrëdhënie diplomatike me gjithsej 180 vende në botë.

Ambasadori kinez Xhang në takimin pas Vitit të Ri me gazetarët foli edhe për performancat ekonomike të vendit të tij, me çka potencoi se rritja ekonomike e Kinës është 6,1 për qind, e kështu renditet në mesin e ekonomive më të mëdha globale në botë.

Kontributi i Kinës në rritjen e ekonomisë ndërkombëtare do të tejkalojë mbi 28 për qind, ndërsa BPV-ja për kokë banori në Kinë do të arrijë 10 mijë dollarë amerikanë. Viti 2020 është i rëndësishëm për Kinën – këtë vit do të kompletohet Plan i 13-të pesëvjeçar, ndërsa me të është paraparë eliminim i tërësishëm i varfërisë në vend./MIA