Aleanca: BDI fundosë drejtësinë me premtime pa realizime

“BDI gjithmonë është mbështetur në pika të dobëta të shqiptarëve duke i shfrytëzuar ato si vegla premtuese në çdo cikël zgjedhor. E një ndër këto pika që për 18 vite BDI nuk arriti t’ua sigurojë shqiptarëve është drejtësia. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, jemi bërë dëshmitarë të bisedave që janë marrë si dëshmi në raste që i gjithë populli në vend, e edhe më gjerë i njeh si të montuara. Biseda këto që dëshmojnë se kjo parti ka bërë gjithçka për të mos djegur veten, duke djegur njerëz të pafajshëm! Në programin zgjedhor të BDI-së të Platformës 2016-2020, në faqen e 12-të në pjesën “Drejtësi dhe sundimi i së drejtës” qëndron premtimi për monitorim dhe hetim ndërkombëtar për rastet e montuara, premtim ky që deri sot nuk ka shenjë të realizimit. Madje jo vetëm që nuk ka shenjë të realizimit, por fatkeqësisht po kjo parti shqiptare ka punuar kundër shqiptarëve për interesa partiake e personale. Drejtësia dhe sundimi i së drejtës duket gjë e pamundur me BDI-në në pushtet, ndërkaq edhe marrëveshjet bilaterale për ndihmë juridike ndërkombëtare mbeten e kaluar. Duke marrë parasysh që nga viti 2016 asnjë marrëveshje e re bilaterale në këtë aspekt nuk është bërë, lehtë kuptohet që për BDI-në platforma zgjedhore është vetëm premtim pa asnjë realizim. Drejtësia e mohuar ndaj shqiptarëve për vite me radhë do të jetë bazë në platformën zgjedhore të Aleancës për Shqiptarët, me kërkesa dhe realizime reale”, thuhet ne reagimin e ASH-së.