Albin Kurti emëron Përparim Kryeziun si zëdhënës të Qeverisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka emëruar sot Përparim Kryeziun, zëdhënës të Qeverisë.

“Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike dhe e Organizatës. Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile. Studimet bachelor në Sociologji i përfundoi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prej të cilave vitin e fundit të tyre e ka ndjekur në Universitetin e Antwerp-it (Universtiteit Antwerpen) në Belgjikë duke qenë përfitues i bursës JoinEU-SEE. Të dy këto bursa të financuara nga Komisioni i Bashkimit Evropian”.

Përparim Kryeziu gjithashtu ka qenë bursist pionier i programit të shkëmbimit YES (Youth Exchange and Study) të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet të cilit vitin ka ndjekur një vit të shkollës së mesme në Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për gati tre vjet ka qenë anëtar i shoqërisë civile. Në dy vitet e fundit ka qenë pjesëmarrës aktiv në diskutime publike mbi Dialogun Kosovë-Serbi nëpërmjet punimeve dhe analizave të shkruara dhe kontributit në debate televizive, transmeton Klan Kosova.