Albin Kurti dhe Vjosa Osmani bëhen bashkë në eventin e ambasadës gjermane

Në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të miqësisë dhe partneritetit Kosovaro – Gjerman, organizuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, GIZ dhe Kfw, janë bërë bashkë kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ajo nga LDK, Vjosa Osmani.

Në disa fotografi të publikuara në rrjete sociale, shihet Kurti dhe Osmani, së bashku në një tavolinë.

Takimi mes dy kandidatëve për kryeministër të zgjedhjeve të 6 tetorit vjen në një kohë kur LDK dhe VV janë në negociata për formimin e qeverisë.

Bisedimet mes dy subjekteve po i kryesojnë krerët e partive: Isa Mustafa nga LDK dhe Albin Kurti nga VV.

Zyrtarë të dyja partive kanë deklaruar se tashmë janë marrë vesh për çështje të programit qeverisës.

Kurse, problem vazhdon të mbetet ndarja e posteve, për shkak të kërkesës së LDK-së, që të arrihet ujdi që kësaj partie t’i takojë posti i presidentit, i cili do të zgjedhjet në vitin 2021.

Këtë kusht të LDK-së, vazhdon që mos ta pranojë VV’ja.

Ndërkohë Glauk Konjufca nga VV paralajmëroi në emisionin Pressing të hënën se një takim mes dy liderëve të subjekteve do të ndodhë shumë shpejt.