Aktivitetet e BDI-së, me makina të Qeverisë? Bekteshi s’i ndan dot aktivitetet partiake nga ato qeveritare

Ministrat e BDI-së sërish në terren. Kësaj here për të parë se ç’po bëhet në Komunën e Çairit.

E nisën duke takuar tregtarët në rrugën e plastikave.

Kur u bënë gati për të dhënë deklarata, u përpoqën që në prapavijë të mos dukej  tabela e Aleancës për Shqiptarët, por ndryshe s’bëhej, për shkak se këndet e tjera ishin me reklama të kompanive private.

“A mund të ktheheni këtëj, që mos të duket reklama?”

Izet Mexhiti: Andej…

“Po edhe në anën tjetër, që prapavija të mos jetë….”.

E kur s’pati zgjidhje tjetër, dikush u kujdes që sërish t’ua bëjë me dije se çka ka në prapavijë, por deputeti i BDI-së Artan Grubi  s’kishte ç’bënte…

“Artan…”

Artan Grubi: “E di… qartë…”

Ministri Kreshnik Bekteshi u lëvdua se me iniciativë të deputetëve të BDI-së u ndryshua ligji i pagesave në kesh.

Kreshnik Bekteshi“I lehtësuam dhe zvogëluam çështjet administrative që kryesisht kanë të bëjnë me kompanitë mikro dhe të mesme”.

Megjithatë Bekteshi e kishte të vështirë për ta definuar qartë nëse aktiviteti me vizitat nëpër komuna është partiak apo qeveritar.

Kreshnik Bekteshi: “Është aktivitet në kuadër të projektit të BDI-së “Zëri yt”.  Nuk mund t’i ndajmë aktivitetet në partiake apo qeveritare. Sa i përket aktiviteteve qeveritare është pres-konferenca e qeverisë dhe njoftimet bëhen nga ana e institucioneve përkatëse, ju sot keni marrë njoftim nga Bashkimi Demokratik për Integrim për aktivitetin e tij”.

Ndonëse nuk u vizitua asnjë objekt arsimor, pjesë e ekipit ishte edhe ministri i Arsimit Arbër Ademi, poashtu nga rradhët e BDI-së.

Se është më shumë aktivitet partiak se sa qeveritar ndoshta e dëshmon mungesa e ministrave dhe zyrtarëve që vijnë nga partitë e tjera.

E nëse aktiviteti është projekt i BDI-së por në kuadër të qeverisë, siç thotë Bekteshi, të BDI-së nuk janë makinat me të cilat lëvizin ministrat. Ato janë vetura zyrtare të institucioneve, të cilat sot vazhdimisht prisnin anash, të gatshme për të shërbyer.

Me të njëjtat makina, zyrtarët shkuan deri në Çarshi për të vazhduar aktivitetet.

Prapa lanë shumë makina të parkuara nëpër trotuare, ndërsa parkingjet me kate të premtuara nga Kryetari i Çairit, ende s’kanë nisur të ndërtohen.

Visar Ganiu: “Unë mendoj që brenda këtij viti do të fillojnë punimet”.

Ganiu pohon se për dy parkingjet me kate procedurat për dhënien e lejes janë kah fundi, ndërsa për të tretin ende janë në fazë fillestare. Me shumë gjasa ndërtimi dhe mbajtja e tyre do të bëhet me partneritet publiko-privat, përfundoi ai.

Në Çarshi integristët e qeverisë panë se s’i po ecën puna me vendosjen e vitrinave të reja.

Ky dyqanxhi duket se u ndje pak i befasuar me zyrtarët në terren…

Dyqanxhiu: “Paskeni dalë pak ju…”

Përveç vitrinave, për rivitalizimin e çarshisë janë ndarë 200 mijë euro para publike, ndërsa Komuna ka fituar edhe grant prej  800 mijë eurove nga Banka Botërore, me të cilat planifikohet rikonstruimi I kalldërmit dhe vendosja e telave nën tokë./TV21/