Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se rritja e numrit të personave të prekur nga koronavirusi mund të ketë ndikim në shtyrjen e relaksimit të masave.
Ahmeti i ka bërë këto komente pasi Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar të martën për 24 raste të reja, katër prej të cilave në Prishtinë.
“Katër raste të reja në Prishtinë e 24 në krejt Kosovën. Pakujdesia mund të vonojë relaksimin e masave. Po mundohemi në çdo mënyrë ta kufizojmë këtë rritje të dytë të rasteve por na duhet bashkëpunimi i të gjithëve. Përndryshe IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë mund të shlyejnë relaksimin e masave”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social, Facebook.
Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ditëve të fundit u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e kufizimit të lëvizjes në mënyrë që të pamundësohet shtimi i rasteve të reja me koronavirus.
Deri me tani autoritetet në Kosovë kanë regjistruar 919 raste pozitive me koronavirus dhe 671 të shëruar.
Që nga shfaqja e rastit të parë me 13 mars kanë vdekur 29 persona.