Agron Tufa: Shumë autorë shkruajnë tregime, por të rrallë kanë mjeshtrinë e Kim Mehmetit

Vërtet është i madh numri i autorëve që shkruajnë tregime (dhe sot ata janë të panumërueshëm), por shumë të paktë janë ata mjeshtër që e pikturojnë tregimin, që i japin jetë duke e ushqyer me gjak si pelikani të vegjlit e vet.

Një ndër këta të paktë është padyshim Kim Mehmeti me tregimet e tij sugjestionuese, gjithë poezi e imagjinatë të përndezur. Përveç tregimeve me sharmin e mistikës/misticizmit ambiental, moral e sociohistorik në trajtën e paravolive metafizike, Kim Mehmeti ka gdhendur përsosmërisht disa nga modelet më të bukura e origjinale të tregimit metaforiko-surreal, në vrullin e një imagjinate të harlisur mitopoetike.

Elementi mitopoetik si ngjizje e një tabloje të re të botës e ka shpën larg në sinoret e një arti oshënar Kim Mehmetin, duke na dhuruar me ligjësitë e rrepta të një koprracie të ndershme (stili i thukët e i tejpashëm i fjalive) tregime, që sipas meje nuk ka për t’i fshirë dot koha. Ato që më kanë prekur veçanërisht janë tregimet: “Peshku ekstazis”; “Lulehëna”, “Robi”; “Shtatë Krojet” dhe ndoshta “Shtëpia në fund të fshatit”. Poezia e imagjinatës së Kim Mehmetit ka arritur të pikturojë me fjalën krijesa metamorfike, si simbole të thuajse Pamundësisë sonë drejt ëndrrës, ëndërrimit, përsosjes, atje ku realitetet janë tashmë të kulluara estetike. (Agron Tufa)