Administrativja përplot me padi për zgjedhjet, më së shumti nga ASH-AAA dhe E Majta, edhe pse nuk besojnë në Gjykatë

Gjykata Administrative do të ketë shumë punë në 2.5 ditët e ardhshme me paditë që partitë i kanë parashtruar për ankesat e refuzuara nga ana e KSHZ. Pas marrjes së vendimeve nga KSHZ, ata kanë afat 24 orë që të parashtrojnë paditë. Që dje këtë e kanë bërë Integra dhe Aleanca për Shqiptarët, ndërsa E Majta ka parashtruar 101 padi. VMRO-DPMNE paralajmëroi dy edhe atë për kërkesën e tyre për numërim manual të gjithë votave, si dhe për kontrollin të fletëvotimeve të pavlefshme. Nga mëngjesi 28 gjykatës në 5 këshille kanë hapur debat publik për një pjesë të padive, pritshmëritë janë se në afatin e paraparë do të përfundojnë.

– Advertisement –

“Sot janë caktuar debate publike për Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën. D.m.th sot do të mbahen debatet publike ndërsa po përgatiten kumtesat dhe ftesat për paditë që janë parashtruar nga partia politike E Majta, me shumë gjasa debatet publike për këto lëndë do të mbahen nesër. Afati është 60 orë, jemi munduar që të mos skadojë ky afat”, tha Ivana Smugreska nga Gjykata Administrative.

Nga Aleanca për Shqiptarët janë skeptik për epilogun e debateve në Gjykatën Administrative. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, thotë se nuk pret rezultate pozitive dhe akuzon për partizim të gjykatës.

– Advertisement –

“Nga Gjykata administrative nuk pres për shkak se Subhi Jakupi duhet të sjellë vendim dhe personat e ngjashëm me të. Ata janë ish funksionarë të BDI dhe janë vendosur aty që të mbrojnë politikanët e tyre të komprometuar dhe kriminel”, deklaroi Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

– Advertisement –

Nga e Majta kërkojnë që Gjykata administrative të pranojë paditë e tyre për ankesat që i refuzoi KSHZ.

“Paditë janë ngritur në bazë të gjendjes faktike të konstatuar në mënyrë të gabuar dhe zbatim i gabuar i të drejtës materiale. Presim Gjykata administrative të miratojë paditë tona dhe të anulojë votimin në vendvotimet e kontestueshme për shkak se të njëjtë ndikojnë në rezultatin përfundimtarë të përgjithshëm për ndarjen e mandateve”, thonë nga E Majta.

Në 2.5 ditët e ardhshme pritet që Gjykata administrative të sjell vendim për të gjithë paditë e partive politike, që është faza e fundit para KSHZ t’i publikojë rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve. Më pas KSHZ duhet tu japë certifikata deputetëve të zgjedhur, ndërsa afati përfundimtarë për mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit është 4 gushti.