Ademi: I zgjidhim sfidat, komunikimi arsimtarnxënës është më i rëndësishëm

Sfidat në realizimin e mësimit onlajn po
tejkalohen me secilën masë të sjellur, ndërsa sfida ka edhe kur ai realizohet
në kushte normale. Më e rëndësishmja është që të sigurohet komunikim i
dyanshëm mes arsimtarit dhe nxënësit, ndërsa informacionet për këtë janë
inkurajuese, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në
emisionin “Utrinski Brifing” në “TV Sllobodna”.
Ai përkujtoi për masat e ndërmarra që të vazhdohet procesi edukativ-arsimor
në shkolla pasi më 11 mars ishte ndërprerë mësimi klasik – së pari me “TV
Klasën” në RTVM dhe aplikacionet dhe platformat e rekomanduara falas për
mësim nga shtëpia, platforma nacionale kombëtare Eduino dhe masa më e
re – zgjidhje e problemit për fëmijët nga familjet e rrezikuara sociale të cilëve
me donacionin prej “Telekom”-it iu është siguruar internet falas që të kenë
qasje në platformat për mësim.
“Ofrojmë mësim nga shtëpia, ku secili arsimtar është i obliguar që të mbajë
komunikim dyorësh me nxënësin, dhe në fund të mund edhe ta vlerësojë.
Ofrojmë edhe platformë nacionale për mësim në distancë – janë incizuar
video leksione nga arsimtarët tanë aktivë. 33.000 fëmijëve të cilët kanë
statusin e nxënësit, por të cilët vijnë nga familje të rrezikuara sociale
vendosëm t’iu ndajmë kartela me internet 10 gigabajt secilin muaj, falas”,
deklaroi ministri.
Ademi përsëriti edhe se për mësimin onlajn ka bazë ligjore me dekretet e
miratuara nga Qeveria të cilat kanë fuqinë e ligjit dhe se gradualisht i
zgjidhin të gjithë problemet për të cilat ishin kritikuar, si mospasja e bazës
ligjore, mungesës së qasjes në internet për të gjithë fëmijët, etj.
“E siguruam bazën ligjore me dekretet e miratuara, pastaj ishim kritikuar se
nuk ka internet. Edhe këtë e siguruam. Plotësisht jemi të vetëdijshëm se ka
sfida, por kur ekziston dëshira, gjithçka është e mundur”, tha Ademi, duke
shtuar me këtë rast edhe se për ndjekjen e mësimit nga distanca nuk
nevojiten pajisje TI të shtrenjta dhe të sofistikuara, por është më e
rëndësishme të mbahet komunikimi i dyanshëm mes arsimtarit dhe nxënësit.