Adem Jashari, nga sublimja epokale tek legjenda shqiptare 

Eugen SHEHU

Ka ndodhur shpesh që njerëzit kanë lidhur do traktate të fshehtë midis jetës së tyre dhe vdekjes. Brenda këtij traktati janë dimensionuar jo vetëm fati i njeriut por edhe i trojeve që e lindën dhe i përkundën djepin. Më tej, ai ka ngarendur jo më nëpërmjet trilleve vetiake, por ka mbetur stoik në qëndër të shkulmeve të erërave dhe furtunave duke u shndrruar sakaq në Promete të kombit të vet.Olimpi i tij nuk ka asnjë të përbashkët me mitet e fqinjit tonë jugor. Ky mal mitik, më së shumti gjendet në zemrën e një burri a të një lisi, nëpër degë të të cilit duhmat e lirisë grishin shpendët ogurbardhë të vazhdimësisë së jetës.
Prej Olimpit të shpirtit, Adem Jashari ka kundruar kurdoherë Drenicën martire, Kosovën kreshnike, kufijtë e rudhur etnikë, ashtu si fytyra e një gruaje të mbytur brengash. Drenica! Kjo vatër e ngrohtë e shqiptarizmës, kjo derë e çelur e burrërisë, ai kuvend emblematik për lirinë, ajo strehë e sigurtë e flamurit dhe shqiponjës brenda palëve të mëndafshta që gatitet të marrë rrugën nëpër furtuna. Drenica! Aty më së pari Kraleviq Marku, i turpëruar dhe munduar prej Musa Arbanasit, shekuj më parë, thërriste në ndihmë gorska vilat (zanat e malit) dhe ato nuk iu përgjigjën. Gorka vilat u trembeshin çiltas zanave shqiptare sepse këto të fundit, sipas besimit shqiptar të kryehershëm, ishin kurdoherë në ruatje të trimave që luftonin për të mbrojtur trojet amtare, prej pushtuesve të huaj.
Drenica e Shotës dhe e Azemit, një shpërfillje e hapur ndaj Londrës së vitit 1913, një përballje e mundimshme ndaj dhunës dhe gjenocidit serb, përplasje tragjike fatesh njerëzore përmes kumbimit të këmbanave të ferrparajsës. Një çift yllor shqiptarësh, të cilët atëherë kur bashkëkombasit e tyre i thërriste vdekja (nisur ç`prej Beogradit) ata i përgjigjeshin jetës me jetën e tyre, i përgjigjeshin të ardhmes me pushkët, fishekët, trimërinë dhe më pas me pranverat e tyre,me ma të shtrenjtën nga ajo që ta ka dhuruar Zoti,sublimen.

 

 

 


Drenica e Shaban Polluzhës një kështjellë gjaku dhe eshtrash, në detin e asaj murtaje të kuqe kur vëllau vriste vëllanë për hirë të disa dogmave ardhur prej Uraleve. Por kësaj radhe, gjëmimi i armëve të Polluzhës me burrat që e rrethonin, nuk do të ndante asesi në Beograd. Ato gjemime do të ngarendnin deri në dyert e kancelerive të Evropës, duke u shndruar në muzikë funebre jo vetëm për të ardhmen e shqiptarëve, por të krejt popujve ballkanikë, të cilët do të jetonin në terrin e gjatë të diktaturës komuniste.Çfat i madh për Drenicën, për ata male, livadhe dhe ujra që e rrethojnë! Ajo i kumtonte Evropës shpirtin e trazuar shqiptar, që nuk mund të regëtinte përmes kënetës e baltrave të regjimit totalitar pushtues, por që rridhte deri në çastin e mbramë për lirinë e amëshuar. Tek e mbramja, lashtësia dhe lavdia e Drenicës, është një pikë takimi e historisë së shqiptarëve, simbol rezistence i pakontestueshëm në çdo kohë.
10 vjet pas ciklonit Polluzha, më 28 nëndor të vitit 1955, në Prekaz të Drenicës, së bashku me të qarat e një foshnje, Drenica do të parandjente një tjetër kumt mesianik. Drenica dhe krejt trojet shqiptare, duket se përshënditeshin nga lindja e djalit të tretë në kullën e Shaban Murat Jasharit. Ardhur vonë asaj mbrëmje në shtëpi,plaku trim Shaban duke kërkuar një rast sadopak të fshehtë për të kremtuar festën e të parëve të vet, 28 nëndorin ka thyer zakonin e burrit (nuk e shohin fëmijën e sapolindur) dhe ka mbështjellë djepin me flamurin kuqezi. S`ka munguar baca Shaban të verë edhe alltinë mbi flamur, duke shpallur në këtë mënyrë kredon e përjetshme të fisit të vet, luftën pa fund ndaj shkijve dei në agun e bardhë të lirisë. Kjo skenë madhore do të merrte udhën sakaq drejt eposit. Eposet shqiptarë kanë ligje tejet të rreptë për mesazhet që bartin dhe përcjellin.
Ç`ka e rriti djalin Adem? Trishtimi i përhershëm për Kosovën e mbuluar në rroba të zeza robërie. Nderimi i madh për të parët e tij, të cilët e patën mbrojt me pushkë dhe jetë çdo pëllëmbë të Drenicës dhe trojeve arbërore. Respekti për krejt ata breza që ndonëse provuan mbi supe makinën dhunuese të mizorive serbe, askurrë, edhe në çastet më të rëndë nuk e humbën besimin në ditën e bardhë që do të agonte. Herët ai do të ndjente në rininë e vet, se e ndante një mur i madh prej mitit të egër serb, i cili justifikonte shfarosjen masive të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone. Herët ai do të mësonte prej të atit se trimëria e burrit nuk mund të filloj tek dera e fqinjit. Ndërsa nga e ëma, gruaja Zahide (derë bajraktari prej Gecajve të Llaushës) do të ndëgjonte këngët e trimave, ato këngë që rridhnin së bashku me borërat dhe ujrat e Drenicës, drejt dhe në eposet trimërore shqiptare. Këto e rritën trimin Adem, siç rrisin furtunat shtatin e lisave.

Herët, Adem Jashari e pati kuptuar se themelet e ishugosllavisë ishin ndërtuar mbi një keqkuptim dramatik të etnive dhe aspak mbi grehinën e një demokracie autentike apo shteti të së drejtës,do ta identifikonte pushtuesin dhe të pushtuarin. Në mënyrë të qëllimshme për gati pesë decenie me radhë një terror sistematik, një dhunë fizike dhe emocionale e shfrenuar serbosllave, veçanërisht mbi shqiptarët etnikë.Një propagandë shumë aktive, do të thoja marramendëse, ka dashur kurdoherë të merrte në mbrojtje këtë genocid therës e tragjik, duke dashur të shmangë përgjegjësitë nacionale-kolektive të serbve. Mjerisht jo vetëm Jasharajt por krejt viset etnike të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, e patën kuptuar si një doktrinë lehtësisht të perceptueshme se njeriu nuk mund të urrej askënd për shkak të një instikti të lindur, përkundrazi ka një shkallë urrejtje përmes së cilës ai patjetër duhet të kalojë. Mendoj të jetë kjo, ndër arsyet kryesore që pas çdo ngjarjeje luftarake për ndryshim të kufijve, opsioni më normal i serbëve të zbritur nga Uralet e largët, ishte “etnicko çistenje” (alias spastrim etnik) garashinjane, më ç`rast do të mund të “garantohej” struktura e ardhshme racore e gjallimit të kolonëve serbe, në tokat e pushkatuara me forcën e armëve dhe dallkaukizmave të europës që kishin shkaravitur gjeografinë e trojeve etnike shqiptare.
Në mënyrë të veçantë, në fillim të viteve 80-të të shekullit që lamë pas, atëherë kur në shtëpinë e madhe të Jasharajve në Prekaz nisën kuvendet e fshehtë se si mund të përballej me makinën ushtarake të Beogradit, kur aty mësynin bujtës ç`prej Mitrovice në Prizren, ç`prej Bujanovci në Karadak e Dukagjin, bijtë e Kosovës martire patën shkuar në zgrip të dhimbjes shekullore. Për ta nuk kishte asnjë dyshim se Beogradi për të ripushtuar sërish “djepin serb mesjetar”, duhej jo vetëm të nëpërkëmbëte, poshtëronte e nënshronte popullatën joserbe, por tek e mbramja vlente t`i shfaroste krejt ata. Shqiptarët në këtë këndvështrim duhej medoemos të ishin të parët ngase luftrat e shekullit ishin dëshmi e “kokfortësisë” të tyre, ndërkaq sipas besimeve mjeranë të ortodoksizmit pansllavist dhe dogmave fanatike të tij, popujt me fe islame duhet të shporreshin nga jugu i Ballkanit. Në këtë kontekst, dhuna e institucionalizuar e beogradit, gjente strehë të sigurtë dhe përkrahje të kahershme nëpër kishat plot temjan të Moskës bollshevike,nga buronte dhe inspirohej dhe mbështetej raca sllave në egërsinë shoveniste agresive ndaj atdheut dhe racës së pastërt shqiptare.

Kur Jasharajt, Lushtakët, Kodralitë apo Mehajt nisën të ideojnë lëvizjen ilegale në Drenicë, kur burrat e këtyre shtëpive përgatiteshin të mateshin me stuhitë serbe,në fillim të vitit 1986, Akademia e Shkencave serbe, nuk mungoi të hedhë në pazar të ideve famëkeqin Memorandum të së radhmes. Me një cinizëm si rrallëkund në historinë e shkencës, këta akdemikë patën dalë asaj kohe me idenë e kobshme (çka parashihte lumenj të tjerë gjaku) që serbët duhet të jetojnë në një vend unik dhe të vetëm. Me këtë akt të paprecedent në histroinë e marrëdhënieve midis etnive të ndryshme, ata parakuptonin faktin që kudo ku kishte qoftë edhe një grusht serbë, duhej patejtër me çdo mjet dhe mënyrë të zhdukeshin nga faqja e dheut fqinjët e tyre, anipse ata jetonin në trojet etnike të të parëve, anipse bëhej fjalë për egzistencën e vetë racës njerëzore.

Ç`ka qënë nata e 30 dhejtorit 1991 në Prekaz? Asgjë më shumë se mundimi dhe shpresa e Beogradit për të sendërtuar hakmarrjen gjakatare ndaj shqiptarëve. Me qindra policë me uniformë ose të fshehtë, me dhjetra armë automatike, mortaja dhe topa rrethuan bijtë e Kosovës martire, me të vetmin qëllim për t`i vrarë ata, me të vetmin qëllim për t`i “trembur” të tjerët për të shuar qysh në lindje vullkanin epokal të lirisë sonë.
Nxjerrin pushkë Mehajt, shënojnë mbi aradhën serbe Kodralitë ndërsa vëllezërit Rifat, Hamz dhe Adem, duke dalë prej kullavë lëshojnë piskamën: Po a duen me na rrëmbye te sotmen dhe të ardhmen o heeee! Zërat e tyre të përzjerë me krismat e armëve janë përplasur faqe më faqe të maleve të Drenicës. Nuk dihet me saktësi a kanë gjëmuar malet apo vetë historia e gurëve dhe drurëve, në asht të të cilëve, është ruajtur vetë klithma e lirisë. Kur liria klith, më parë se të zgjoj sy dhe shpirtra të fjetur, ajo depërton në kujtesën e kombit. Ç`prej 31 dhjetorit të vitit 1991, atëherë kur makina ushtarake serbe do të largohej e mundur prej Prekazit,në librat e policisë sekrete të Beogradit, do të shkruhej me të mëdha emri i Adem Jasharit.

Ç`ka qënë vallë nata e 25 nëndorit 1997 për policinë e sekrete serbe? Përse ata i janë vërsulur kësaj radhe në mënyrë tinzare të ftohtë si vdekja, lagjes Binakaj të Vojnikut? Dhe ndërsa këta u afrohen lagjes dhe shtëpive të shqiptarëve, gurët dhe drurët, në memorien e tyre, në mënyrë të vetvetishme sjellin ndërmend një prej masakrave të Çeklicës, shekuj më parë, masakrë “e pastër” e ortodokzismit të egër ndaj myslimanëve. Ende sot, në eposin gojor mjeran të Serbisë këndohet e “famshmja” këngë kur Vojvoda Batriç i raporton peshkopit Danilo dhe abatit Stefan:“Myslimanët e Çeklicës na ikën.Kështu që prej tyre vramë pak,Por dogjëm vatrat e tyre,Çerdhe dervishësh dhe xhami turke,Bëmë me to një pirg të mallëkuar.Që të mbetet si shenjë për popullin.”
Ndërsa në kullat e lagjes Binakaj dëgjohen krismat e para të pushkëve kriminale serbe, në luginën midis Llaushës dhe Rezallës së Re, burrat e armatosur prijnë pas Adem Jasharit. Vetëtima dhe stuhi nuk mund të mbrrinin dot më shpejt në shpatet edhe grykat e Vojnikut.
Sërish ndizet e ashpër beteja dhe për policinë e fshehtë serbosllave dhe mercenarët e tyre shqipfolës nuk është e vështirë të kuptohet se gjëmimi i armëve i shpërndarë tej e mbanë maleve të Drenicës është Adem Jashari, ai që përkrahu studentët e Prishtinës më 1981, ai që ngarendëte çdo 28 nëndor me flamur kuqezi në gjoks, ai që përball me eprorin e policisë serbe Rajkun gjatë demonstratave në Skënderaj, ai që e pat kthyer kullën e vet në simbol të vetëdijes nacionale për krejt drenicarët. Natyrisht, në rrjedhën e ngjarjeve, serbët asesi nuk mund të kishin rënë në befasi. Ata qenë përleshur gjatë këtyre anëve me Azem Galicën, ata patën humbur qindra ushtarë të tyre dhe çetnikë në pranverën e vitit 1945, në luftë kundër Shaban Polluzhës, tashmë do t`u duhej të luftonin kundër burrit të Prekazit Adem Jashari.

Llogaritë e serbve në Vojnik nuk dalin. Ata tërhiqen sërish në mënyrë tinzare për të kryer dy ditë më vonë një prej akteve të shëmtuar dhe të mynxyrshëm, vrasjen e mësuesit të nderuar Halit Geci. Gjendja depresive në të cilën ndodhej policia e Beogradit, ërërat e forta të shovinizmit dhe të serbofobisë në disa mjedise paranojake, favorizonin radikalizimin dhe ekstremizmin serb. Kjo simetri mjerane për shpirtin dhe moralin e një kombi, duhej të flakej.
Por atje ku nuk mbërrin dot fjala, atje ku mëria etnike urdhëron krime ndaj fqinjit, që vetëm fati ta solli aq pranë, atëherë fjalën e vet e thotë gryka e pushkës, e mbajtur sigurisht në duar trimash. Në 28 nëndor 1997, ndërsa varri i mësuesit të nderuar Halit Geci mbulohej me kurora lulesh nga gjithë Kosova martire, në funeralin e rastit shfaqeshin ushtarët dhe prijësit e parë të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Një simbolikë e çuditshme lidhte në këtë datë, ngritjen e flamurit në Krujë prej Gjergj Kastriot Skënderbeut, në Vlorë prej Ismail Qemalit dhe pothuajse 85 vjet më pas, ky flamur qëndronte bri dëshmorit të rënë dhe të atyre burrave që mbartnin mbi supe përgjegjësinë e ardhmërisë së trojeve etnike shqiptare.Pos simbolika e mësipërme, në mënyrë depërtuese do të nderej jo vetëm në rrafshe të datave tona kulmore, por edhe në ditlindje të zakonshme. Adem Jashari pat lindur pikërisht më 28 nëndor dhe i jati Shabani e pati mbështjellë me flamur kombëtar.
Profecia e lënë disi në periferi të memories familjare, priste tani, në fundshekullin e trazuar të realizohej prej një numri shumë të madh njerëzish se kulla e Jasharajve. Drenica i kishte çuar sytë vetëtimthi tek ai burrë shtatlartë, me mustakë, me zemrën e madhe dhe sytë që ndriznin zjarre dashurie. Por këtë ndjenjë të atdhedashurisë së natyrshme, Beogradi në mënyrë krejt të qëllimshme e konfronton me fjalën terror, duke dashur të mbulojë varganin e krimeve të veta me gjethen biblike të lules.
Ende sot pas kaq vitesh, shqiptarët në Kosovë duket se nuk e kanë harruar rënqethjen që kanë ndjerë pas deklaratës së Milosheviçit që : “Ata që në Jugosllavi, e mbështesin terrorin shqiptar, i japin një goditje serioze Serbisë dhe Jugosllavisë. Serbët dhe malazezët, nuk kanë mbetur vetëm këta të fundit.Çdo vatër në Serbi, është gati që nesër të niset për Kosovë. Sepse “shovinistët shqiptarë” e dijnë mirë siç e kanë pas ditur dhe më parë e duhet ta dijnë edhe në të ardhmen që nuk do të kenë dhe nuk do të pushtojnë kurrë, qoftë edhe një gisht të vetëm tokë serbe dhe sidomos as që do ta kenë e as që do të mund të pushtojnë Kosovën dhe Metohinë”.
Totalitarizmi nacional-shovinist i urryer serb, çdo ditë e më shumë, nxirrte në shesh, etjen tragjike për gjak shqiptarësh. Gjak në Prishtinë e Skënderaj, gjak në Ferizaj e Pejë, të vrarë e të varrosur përmes hymnit kombëtar shqiptar në Drenicë, të masakruar në vise të tjera në afërsi të Maqedonisë shqiptare.Evropa e cila i ruante ende në memorie krimet e fashizmit po shihte jo pa vëmendje se komunizmi në agoni, ai që dikur qe predikuar si vëllazëri e miqësi e paskajshme, tanimë me metodat e dhunën e përdorur ndaj njerëzve, binshëm ia kaloka edhe fashizmit. Ky socializëm i dekompozuar u shfaqka plot gjak e kocka ashtu si në tragjeditë e lashta të Sofokliut, por kësaj radhe duke patur për skenë, Europën e mikluar prej teorive perverse të kombit të kulluar serb, predikimet për vrasje, sadizmin dhe terrorin psikologjik të marrë si masë ndaj “terroristëve” shqiptarë, tek e mbramja, ricikloi edhe një herë (ndonëse tani në kushte më të pafavorshëm) shpërfilljen e saj ndaj kombit të vjetër të Ballkanit, i cili ndonëse u përgjysmua në shekuj, nuk iu nënshtrua asnjë lloj sundimi, përkundrazi ruajti, ngriti dhe lartësoi dinjitetin e vet kombëtar.
Adem Jashari, padyshim, mund të merret si shëmbëlltyrë e kësaj rezistence në trojet etnike shqiptare nën pushtimin sihjugosllav. Ai dhe burrat që e rrethonin në ato vite, duke i thënë “ndal” masakrave rituale në viset shqiptare, u thoshin “ndal” në të vërtetë hakmarrjes së verbër të saj, cinizmit antieuropian, lëvizjes tejet të rrezikshme për t`u kapur pas miteve ndjellakeqës dhe jo pas realitetit që ofrojnë zhvillimet.
Në ditët e para të marsit 1998, soldateska serbe kryen mizori në fshatrat Qirez dhe Likoshan.Popullsia e pambrojtur e këtyre viseve u gjend në mënyrë të beftë nën shiun e predhave të automatikëve, mortajave dhe topave të kalibrit 75m/m. Por ajo gjendet e pambrojtur edhe ndaj opinionit europian, i cili “nuk ka kohë dhe mundësi të merret me kosovarët” shovenizmi serbosllav kishte bërë kërdinë e përgjakjes në gadishullin e ballkanit. Sa për Beogradin shoven, aty ishin grumbulluar edhe mercenarët rus,rumun e deri dhe jevgjit, të zhytur këmbë e kokë në nacionalshovenizmin famëkeq të Serbisë së Madhe, duke u shëndrruar me dashje apo pa dashje në vegla të kësaj politike mjerane. Policia e fshehtë e Beogradit, ndjek lëvizjet e vullnetarëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe e bindur se Adem Jashari është simboli dhe shtylla kryesore e kësaj qëndrese shqiptare, ndërmerr hapin tjetër. Ajo kërkon të shuajë me zjarr dhe hekur jo vetëm qëndresën e burrit 42 vjeçar por krejt kullat e Jasharajve, duke dëshmuar se është njëherëzi pjellë e krimit dhe nënë e tij.

5 maj i vitit 1998 do të vinte përmes një agu të mynxyrshëm në vise të Drenicës. Topa, mortaja, kallashnikovë, një arsenal i tërë metalik në përballje me kullat e Jasharajve në përballje me ata burra që mbartnin mbi supe peshën e Kosovës dhe shqiptarëve të robëruar. Elaboratet serbë, të ndjerë keq e më keq kundruall shpresës së shqiptarëve për pavarësi tashmë nisnin falangat e mëdha kriminale drejt kullave paqësore në Prekaz me synim se do të mund t`i prisnin udhën lirisë që ishte nisur. Nuk munguan as tanket dhe zhurma e tyre u parandje qysh larg Prekazit. Intuita e çuditshme malësore parapa lumenjtë e gjakut që kërkonin shtretërit e rinj të tyre, nëpër gryka të Drenicës. Burrat e Jasharajve mblidhen sa ma parë dhe mendojnë që pleqtë dhe fëmijët të largohen nga kulla. Baca Shaban nuk pranon.
Gratë gjithashtu. Fëmijët kanë besim tek të parët e tyre. “Na kjoftë dit e hajrit “ mund të thotë Shaban Jashari dhe tok duart me djemtë. Ademi ajo shqipja e rëndë hypur në shkëmb, rregullon armët dhe jep porositë e rastit. Ka momente në jetën e njeriut kur ai e sheh me sy vdekjen, por e shpërfill atë. Nga mund të vij kjo shpërfillje që i zbardh faqen burrit, djalit apo nipit? Vështirë të depërtojë shkenca deri aty. Por sigurisht depërton ndjenja e thellë, e mrekullueshme, askurrë e vjetëruar e dashurisë për atdheun, kombin, të parët dhe pasardhësit e tu.
Në orë të tëra në ato kulla përleshej jeta me vdekjen. Jetën e mbronin pushkët e Jasharajve, vdekje e donin shpura e millosheviçit, e të çmendurit të mbramë të Europës.Faiku dhe Aliu, Shabani dhe Halili, Isai dhe Beqiri, Sherifi dhe Nazmiu, vunë gjokset e tyre përballë soldatskës serbe, duke i rikthyer në kujtesën e gurëve të Drenicës, betejat emblematike të luftëtarëve kosovarë në vite. Adem Jashari, me trimërinë dhe guximin prometeik të tij, ishte shpresa dhe zemra e të gjithë luftërtarëve të tjerë. Policët e Beogradit ngarendinin pas blindave dhe botës së hekurt të armatimeve pasi patriotizmi i tyre ekstrem, ishte i përvetësuar nga përrallat e mitologjisë serbe, ndërsa Adem Jashari dhe familja e tij po i shëndrronin kullat e tyre në Prekaz, në karakollet e parë të qëndresës shqiptare, të asaj qëndrese e cila lidhej me mijra fije, me vetë agzistencën dhe ardhmërinë e kombit tonë. 38 dëshmorë të Jasharajve flasin më mirë për këtë.

Janë 38 varre pranë e pranë në Prekaz. Janë 38 monumente të asaj që quhet qëndresë kombëtare. Midis tyre ( duket se ende komandon , jep dashuri e shpresë) Adem Jashari, simboli i nderit, burrërisë dhe trimërisë së Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Guximi me të cilin ky burrë priti aradhat e Milosheviçit në kullat e tij, shfaq një tjetër dimension të shqiptarëve në kapërcyell të shekullit të 20. Flijimi familjar, ky kapërcim elegjiak i dhimbjes njerëzore i kujtonte Europës se thika serbe po shkonte në asht të shqiptarëve. Përmasa e re e përftuar në këtë rast, të jepte mundësinë të zbrisje shumë thellë, aty ku ndodhen ende sot, rrënjët e tragjedisë midis ilirëve të lashtë dhe ardhacakëve sllav në gadishullin ballkanikë.
Me humbjen fizike të Adem Jasharit, mendoj se nacionalizmi i ndershëm shqiptar, humbi në shekullin që lamë pas, një ndër figurat e spikatura të identitetit të vet. Ndërsa liria dhe pavarësia e Kosovës vlen të shihet kurdoherë, si një rikthim i këtij burri në krejt jetën tonë. Prej vitesh, në bjeshkë, në oda trimash është artikuluar: Lum ai që rron pas vdekjes! Padyshim si një i tillë, Adem Jashari mbetet jo vetëm krenari e bjeshkëve tona nga ku ndjehet tërsëllima e legjendave por edhe pararendësi i qytetërimit të shqiptarëve.Legjendat kujtohen nga të dyja datat pafundësish,gjersa kombi frymon,ato data janë edhe kur Zoti u jep jetën,por edhe kur mbyllin jetën,gjeneratat pasardhëse ushqehen me veprat e tyre,historia i radhitë në panteonin e lavdisë dhe krenarisë së Kombit të vet,për jetën e jetëve.Lavdi !
Bern-Zvicër