A po e harrojnë shqiptarët kontributin e Diogardit?

Më 20 shtator 1940 në Bronks të Nju Jorkut lindi Joseph DioGuardi. Ai u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1962. Babai i tij, i cili emigroi në Amerikë në vitin 1929, ishte shqiptar i lindur në krahinën Greçi afër Napolit, fshati më i vjetër shqipfolës në Itali. Nëna e tij ishte italiano-amerikane e brezit të parë të emigruar në Nju Jork më 1910. J. Dioguardi dhe e shoqja zonja Shirley Cloyes DioGuardi janë liderët e lobit më të fuqishëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbrojtës të flaktë dhe të paepur të të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Sërbi dhe Çamëri. I pari shqiptaro-amerikan i zgjedhur në Kongresin Amerikan, i cili nëpërmjet një Rezolute të Kongresit të sponsorizuar prej tij futi në rendin e ditës seancën e parë të Kongresit për Kosovën në vitin 1987, ku për herë të parë shpalosi barbarinë serbe kundër shqiptarëve të pambrojtur. Diogardi luajti edhe një rol heroik në themelimin e Universitetit të Tetovës dhe e mbrojti në State Department por edhe fizikisht. Disa dokumente dhuruar babait tim Ramadan Sinani i ruaj si kujtim. Edhe sot, as në Tiranë, as në Prishtinë e aq më pak në Tetovë puna e tij nuk u vlerësua. Pavarësisht nga kjo DioGuardi mbetet hero i gjallë. Urime ditëlindjen e qofsh i bekuar Xho! (Arsim Sinani)