A ka vdekur “njerëzimi”!

Naser SAHITI

Tjetërsimi si fenomen negativ është tejet i vjetër dhe daton qysh nga ndarjet fillestare të njeriut nga natyra. Një nga autorët që u mor me këtë fenomen në mënyrë intensive është Erih Fromi, i cili ka vlerësuar se tjetërsimi është sëmundje psikologjike, sidomos e njeriut bashkëkohor dhe bën dallimin mes disa llojeve të tjetërsimit, siç është: tjetërsimi ndaj vetvetes, ndaj njerëzve të tjerë, nga autoriteti, tjetërsimi mental, nga natyra, e kështu me radhë.
Këto mënyra të tjetërsimit sjellin edhe një numër pasojash, me të cilat njeriu përballet çdo ditë. Tjetërsimi e kufizon njeriun nga aftësitë e tij mentale dhe intelektuale, e sidomos nga afinitetet e tij kreative dhe potencialin e tij, duke e kthyer njeriun në një qenie njëdimensionale. Rrjedha logjike të çon deri te pyetja se si diçka e tillë është e mundshme në kohën tonë bashkëkohore, kur gjithçka duket e mundshme dhe e arritshme? Shembulli më i mirë për ta ilustruar realitetin e tjetërsimit njerëzor, është ai i një punëtori me potencial, të cilit nuk i mundësohet rasti që të shpreh aftësitë e tij dhe njëkohësisht të arrijë potencialin e tij që e ka përfituar gjatë jetës, qoftë nëpërmjet shkollimit e edukimit, qoftë nëpërmjet përvojave të ndryshme jetësore. Arsyeja kryesore e stagnimit të avancimit të një punëtori është kryesisht frika e eprorëve të tij, për të cilët ai paraqet një kanosje, pikërisht për shkak të aftësive të tij, me ç’rast hasim në një shembje të sistemit të meritokracisë, ku të njëjtët eprorë janë më pak të shkolluar e më pak të aftë se punëtori në fjalë.
Për shkak të refuzimit të tillë dhe të mos pasjes mundësi për shfaqjen dhe arritjen e potencialit që posedon, një punëtor i tillë tjetërsohet nga puna e tij, respektivisht ai tjetërsohet edhe nga vetvetja, duke u shkrirë me vendin e punës e duke jetuar thjesht për ta siguruar ekzistencën e tij, e jo për të jetuar. Në të njëjtën kohë, punëtorit nuk i mundësohet që të jep kontributin e tij për ndërmarrjen ku punon dhe shoqërinë në përgjithësi, duke formuar një cikël dështimesh dhe humbje të shpresës se aftësitë dhe potenciali të shërbejnë për përparim në jetë. Gjithashtu, për shkak të humbjes së shpresës, individi fillon që të dobësojë dhe të humb lidhjet e tij me njerëzit e tjerë, pasi tashmë nuk konsiderohet si njeri që mund t’i ofrojë diçka shoqërisë, por thjesht si rrezik që duhet eliminuar, duke e humbur epitetin si qenie njerëzore e shpirtërore, për t’u kthyer në mjet që të tjerët e përdorin për të arritur qëllimet e tyre egoiste.
Lirisht mund të themi se njerëzimi ka “vdekur”, njeriu ka humbur njerëzoren, ka humbur ndjenjën e dashurisë e respektit, mirëqenies dhe mirësisë; e tërë kjo mund t’i vishet epokës së industrializimit, respektivisht kapitalizmit bashkëkohor, që janë fajtorët kryesor për gjendjen në të cilën e gjen njeriu veten në shekujt e fundit. Fatkeqësisht, krahas përparimeve që ia veshim kapitalizmit sot, ai është fajtori kryesor për shndërrimin e njeriut në një karakter konkurrues, shfrytëzues dhe egoist. Fatkeqësisht, edhe ndër ne ka shumë të përvuajtur që e gjejnë veten në situata të tilla tjetërsimi, ku humbin qëllimin e tyre jetësor e jetojnë vetëm për punuar, e punojnë vetëm sa për të jetuar.