A i ka dhënë Kina vërtet fund krizës me koronavirus?

Shumë pak veta nuk do të pajtoheshin, që sapo zyrtarët kinezë kanë pranuar rrezikun që përbën koronavirusi – ndonëse shumë i akuzojnë për fshehje të sëmundjes në Vuhan në muajin janar- ata kanë vendosur në karantinë, kanë izoluar dhe vëzhguar qindra miliona njerëz.

Sipas epidemiologëve të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kinë, këto përpjekje ndoshta kanë qenë “më ambiciozet dhe më agresivet në histori, me qëllim të ndaljes së një sëmundjeje”, por edhe si një gjë që do të mund të realizohej vetëm në një shtet autoritar sikurse Kina.

Mirëpo në të dhënat që janë bërë të qasshme, shihet se masat e ashpra kanë funksionuar – të paktën deri më tani.

Një pikë e madhe kthese është shënuar më 18 mars në Kinë, pas një beteje tremujore me epideminë, kur të dhënat zyrtare nuk kanë treguar për të prekur lokalë, dhe për një numër të vogël të rasteve që kanë shkuar atje nga vendet tjera.

Një ditë më vonë, teksa qeveritë në shumë vende të botës kanë ashpërsuar kontrollet shoqërore, meqë situata me pandeminë është vështirësuar, numri i të vdekurve vetëm në Itali kishte kaluar shifrën e 3,245 sa ishin regjistruar në Kinë.

Madje shkencëtarët kinezë kanë siguruar më 19 mars se një studim i ri në Vuhan ka treguar se shkalla e vdekjes, e bazuar në simptomet e pacientëve është 1.4 për qind apo “shumë më e vogël” sesa është thënë në fillim.

Gjashtë shtete tjera – Italia, Spanja, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Irani dhe Franca, tani kanë numër më të madh të rasteve aktive me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi i ri në krahasim me Kinën – ku 71,150 persona janë shëruar deri më 20 mars dhe 6,569 janë duke luftuar me sëmundjen.

Duket se këto lajme mbështesin qëndrimet e shprehura në “raportin përfundimtar” të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të ekspertëve kinezë të sëmundjeve infektuese, i cili është parë me dyshim nga shumë persona, për shkak të atyre që janë konsideruar të dhëna “shumë bujare”.

”Qasja e ashpër e Kinës për të ndalur përhapjen e shpejtë të patogjenit të ri respirator ka ndryshuar kursin e përshkallëzimit të epidemisë vdekjeprurëse”, ka thënë ky mision në fund të muajit shkurt, kur shkalla e të infektuarve në Kinë ishte ulur, derisa Italia, e cila është shpallur epiqendër e virusit në Evropë, vetëm pati filluar të përballej me shifra të larta të të infektuarve.

Vala e dytë?

Mirëpo ndonëse të dhënat e reja mund të tregojnë shenja se 1.4 miliard kinezë janë pastruar nga kjo sëmundje infektuese, ekspertët vlerësojnë se kthimi i masave të izolimit, është pothuajse i pashmangshëm deri në të paktën, vitin e ardhshëm.

Sipas tyre, një valë e dytë e infektimit ka mundësi të ndodhë në Kinë dhe vendet tjera, që do të mund të menaxhojnë shpërthimin e parë, i cili deri më 20 mars ka prekur më shumë se 250,000 persona dhe ka lënë të vdekur mbi 10,000 të tjerë.

Lajmi i fundit i mirë po ashtu kërcënon të mbetet në hije si pasojë e kritikave të mëdha ndaj zyrtarëve kinezë, pasi ka dyshime se ata janë duke fshehur informacion jetik me shkencëtarët jashtë këtij territori. Ky shtet është qortuar edhe për censurën që ka aplikuar duke i paralajmëruar dhe ndëshkuar qytetarët e vet, nëse këta të fundit kanë folur në kohën e shpërthimit të virusit.

Megjithatë, këto paralajmërime dhe kritika nuk e kanë ndalur Pekinin nga të ofruarit e ekspertizës dhe nga dërgimi i një numri të madh të maskave, respiratorëve dhe pajisjeve të tjera mjekësore në shumë vende të botës.

Brenda një muaji të arritjes së pikut të infektimit, Kina dhe disa qytetarë të mirënjohur kinezë janë kthyer, nga drejtues gishtash drejt fajtorëve për dështim të kontrollimit të pandemisë, në ofrues të ndihmës në Shtetet e Bashkuara.

Këto veprime janë përshkruar si “luftë e propagandës me koronavirus”, e cila sipas revistës Politico është ushqyer “me fushatë jo edhe aq të mprehtë” nga Pekini.

Si përgjigjje, në Shtetet e Bashkuara ka pasur insistim të disa zyrtarëve, sidomos brenda administratës së presidentit amerikan, Donald Trump për referim të sëmundjes si “virus kinez”.

“Shikoni, fushata e dezinformimit që (zyrtarët kinezë) janë duke realizuar, ka për qëllim heqjen e përgjegjësisë”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, para gazetarëve më 17 mars, teksa vazhdimisht e ka quajtur koronavirusin “virus të Vuhanit”.

Ai më pas ka thënë: “Ne dimë kaq: Ne dimë se qeveria e parë që ka qenë në njohuri për virusin e Vuhanit ka qenë Qeveria Kineze. Kjo gjë përbën përgjegjësi të veçantë sa për të rritur alarmin dhe për të thënë ‘ Ne kemi një problem, kjo është diçka ndryshe dhe përbën rrezik’. Botës i është dashur një kohë tmerrësisht e gjatë për të kuptuar rrezikun me të cilin përballet, teksa ai ka qenë në Kinë”.

Armik i ri dhe i pazakonshëm

Koronavirusi i ri mendohet të ketë kaluar nga kafshët në njerëz, afërsisht në javën e tretë të muajit nëntor, sipas analizave gjenetike, ndërkohë që rastet e para janë raportuar në Vuhan të Provincës Hubei.

Aktualisht nuk ka vaksina të miratura për virusin e transmetueshëm lehtë dhe as trajtim për sëmundjen Covid-19, që përcillet, te disa, me simptoma të pneumonisë.

Shumë ekspertë thonë se prezantimi i një vaksine të sigurt është ende larg të paktën një vit apo 18 muaj.

Në fund të muajit janar, i gjithë fokusi ka qenë në sekretin e Kinës, teksa pjesa tjetër e botës ka tentuar t’i qaset kërcënimit global.

Partia Komuniste e Kinës e ka pranuar më 3 shkurt – kur numri i të vdekurve pati arritur në rreth 400, ndërkohë që shifra e pacientëve rritej me shpejtësi – që shpërthimi mund të jetë “test i madh për sistemin e Kinës dhe për kapacitetin e qeverisjes”.

Partia Komuniste ka dënuar publikisht së fundmi, trajtimin që u kanë bërë zyrtarët një mjeku, i cili ka pranuar rëndësinë që duhet kushtuar shpërthimit të virusit pak pasi ka shpërthyer ai.

Oftalmologu, Li Wenliang, që ishte infektuar në fillim të muajit janar me këtë virus, ka vdekur një muaj më vonë, pasi ka protestuar rreth jogatishmërisë së zyrtarëve për të pranuar problemin e përhapjes së madhe të virusit. Mirëpo protesta e tij online ka ndihmuar në rritjen e shprehjes së pakënaqësieve dhe duket se u ka ndihmuar zyrtarëve kinezë që të ngriten dhe të veprojnë.

Në fillim të muajit shkurt, në kohën kur koronavirusi i ri ka qenë në përhapje e sipër në Kinë dhe shumë shtete tjera në botë, dhjetëra miliona kinezë kanë kthyer sytë te televizioni shtetëror CCTV, për të shikuar ndërtimin e një spitali brenda 10 ditëve, me qëllim të strehimit të 2,600 pacientëve të infektuar me Covid-19.

Përveç tyre, edhe shumë persona tjerë në botë kanë shikuar ndërtimin e spitaleve, Huoshenshan dhe Leishenshan në Vuhan, përmes pamjeve që kanë ofruar disa agjenci të lajmeve.

Shikuesit u kanë dhënë pajisjeve të ndërtimit emra si “E verdha e vogël” ose “E kaltra e vogël”, ndonëse ka qenë e qartë atë kohë sa urgjente ka qenë situata dhe sa të rënda mund të jenë ditët në vijim.

Të zënë ngushtë

Mbyllja e madhe e Kinës ka përfshirë një varg masash duke përfshirë karantinat e ashpra, izolimet pa mëshirë dhe vëzhgimet e vazhdueshme përmes inteligjencës artificiale.

Edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pati përmendur ndikimin e madh shoqëror dhe atë ekonomik në jetën e popullit kinez, ndonëse ka “përgëzuar” përgjigjen e Kinës ndaj virusit.

E përditshmja amerikane The New York Times ka kalkuluar që të paktën 760 milionë kinezë kanë qenë subjekt i një shkalle të izolimit nëpër shtëpi.

Identifikimi i fytyrës, inteligjenca artificiale dhe përpjekje tjera për të siguruar “të dhëna” kanë qenë në fokus për atë arritur atë që OBSH-ja e ka përshkruar si “ndjekje e kontaktit dhe menaxhim të popullsisë primare”.

Organizata Ndërkombëtare, Human Rights Watch është ankuar publikusht për izolimin e rëndë në Kinë, ndalimet arbitrare dhe lloje tjera të brutalitetit, duke përfshirë edhe një listë të viktimave të paqëllimta, duke përmendur një djalë me nevoja të veçanta, i cili ka vdekur si pasojë e neglizhimit, meqë familjarët e tij kanë qenë subjekte të karantinës së dhunshme.

Kjo Organizatë pati bërë thirrje për përmbajtje nga Pekini në një raport të publikuar më 30 janar me titullin, Kina: Respektoni të Drejtat e Njeriut teksa i përgjigjeni koronavirusit.

Ndërkohë kanë filluar që të bëhen publike tregimet, kur ishin përfshirë lloje të ndryshme të vëzhgimit të qytetarëve në Kinë.

Një pronar i një restoranti në Hubei është vizituar në orët e vona të natës nga një polic – pasi ai kishte shkuar nga zona e shpërthimit në shtëpinë e tij në Siçuan – për ta urdhëruar që të mbyllet në karantinë për dy javë, pati raportuar, Al-Jazeera.

Kur ai ka shkuar për të blerë perime, ai është parë nga kamerat e vëna në lagje dhe pajisjet për identifikim të fytyrës.

“Këto masa nuk janë strikte”

Franca e deri në Republikën Çeke, madje edhe në Itali, zyrtarët jashtë Kinës janë përballur me dilemat në mes të nevojës për monitorim dhe “distancimit shoqëror”, por dhe masave tjera mbrojtëse në njërën anë dhe dhe hezitimin për të mos tingëlluar si shumë të vrazhdë në anën tjetër.

Gjatë një vizite informuese në veri të Italisë më 19 mars, një zyrtar i Kryqit të Kuq Kinez, Sun Shuopeng, ka përmendur “trendin në ulje” të rasteve të të infektuarve në Vuhan, pas një muaji prej kur kishin filluar së aplikuari politikat e izolimit.

“Këtu në Milano, në zonën e prekur më së keqi nga Covid-19”, ka thënë ai “nuk ka masa të ashpra të izolimit”.

Një nga kritikat kryesore ndaj përgjigjes kineze dhe fizibilitetit ndaj Perëndimit ka qenë se apikimi i masave të njëjta të kontrollit mund të jetë gjë e vështirë në shoqëritë ku mbrohen liritë personale dhe ambiciet profesionale.

“Ekziston një balancim në mes të mbrojtjes së jetëve të njerëzve dhe punës që kanë”, ka cituar revista Time, ekspertin e sëmundjeve infektuese në Universitetin e Hong Kongut, Ben Cowling.

Kritikët tjerë kanë krijuar paralele në mes të qasjes së pakompromis të zyrtarëve kinezë ndaj izolimit publik dhe supozimeve që ata fillimisht kanë fshehur të dhëna për infektimin që ka kaluar nga kafshët te njeriu, duke bërë të ditur më vonë numrin në rritje të të prekurve, teksa kanë dështuar që të informojnë publikun për rrezikun që i kanoset.

Shtimit të akuzave për fshehje të virusit u ka ndihmuar edhe fjala e përhapur për mbyllje të laboratorit në Shangai, i cili ka bërë një nga punët më të rëndësishme në analizimin e virusit pas shpërthimit.

Zyrtarët nuk kanë dhënë hollësi për mbylljen, e cila ka ndodhur një ditë pasi është publikuar një sekuencë e gjenit të koronavirusit, në një platformë të hapur.

“Kam menduar që nuk ekziston mundësia që këto shifra të jenë reale”, ka cituar revista Science, epidemiologun, Tim Eckmanns, nga Instituti Robert Koch, njëherësh pjesëtar në misionin e OBSH-së në Kinë.

Vetëm një betejë

Misioni i kryer me qëllim të “uljes së numrit të tasteve me Covid-19 në gjithë Kinën është i vërtetë”, dhe statistikat e javës së kaluar duket se vërtetojnë këtë gjë.

Megjithatë, mbetet pikëpyetje deri kur do të vazhdojë kjo situatë në Kinë, teksa pjesa më e madhe e botës është duke tentuar të luftojë përhapjen e pandemisë.

Më 19 mars në Vuhan nuk është raportuar për asnjë rast të lokal të prekur për të dytën ditë me radhë.

Disa prej zonave në Provincën Hubei u është hequr masa e izolimit javën e kaluar si dhe janë hequr kufizimet e udhëtimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje zyrtarëve që të “monitorojnë me kujdes heqjen e masave kufizuese dhe organizimin e tubimeve publike”, për shkak të mundësisë së mbetjes së ndonjë zinxhiri të përhapjes së sëmundjes Covid-19.

Kjo Organizatë ka thënë mes tjerash se zyrtarët duhet të tregojnë “gatishmëri për të reaguar menjëherë në rast të raportimit të ndonjë rasti të ri me Covid-19, pas heqjes së masave kryesore në kuadër të strategjisë së kontrollit”.

Ekipi i Kolegjit Imperial në Britani, raporti i të cilit më 16 mars ka shtyrë qeveritë në Shtetet e Bashkuara dhe Britani për të marrë më shumë masa, me qëllim të luftimit të virusit, po ashtu ka paralajmëruar për cenueshmërinë e përpjekjeve për “shtypje” të virusit përmes të ashtuquajturave intervenime jofarmaceutike, siç është vetizolimi dhe mbyllja e zonave ku mund të grumbullohen personat.

“Sfida kryesore në këtë pikë është se intervenimet jofarmaceutike (ose ilaçet nëse janë të qasshme) duhet të ruhen – për aq kohë sa virusi është duke qarkulluar në popullsi apo derisa të zbulohet vaksinë”, është thënë në raport.

Michael Osterholm, që ka paralajmëruar më 2017 në librin e tij, Armiku më Vrasës: Lufta Jonë Kundër Mikrobeve Vrasëse, se koronaviruset si SARS dhe MERS kanë qenë “paralajmëruese të gjërave që mund të vijnë”, javën e kaluar e ka cilësuar situatën me Covid-19 si “tentim për të ndalur erën”.

Ai ka shtuar: “Çfarë kemi parë në Kinë, dhe për çfarë jam i bindur, ashtu sikur edhe shumë kolegë të mi është se sapo të anulohen masat për mbajtje të distancës dhe qëndrim në shtëpi – kur të kthehet sërish rutina e punës dhe njerëzit t’iu kthehen planeve të tyre, dhe të jenë në aeroplanë, trena, metro, autobusë dhe hapësira të popullura, koronavirusi do të kthehet edhe në Kinë”. /REL