A është politizuar komisioni maqedono-bullgar? Dimitrov thotë “jo”, kolegia Zaharieva ia kthen: Edhe ju na akuzonit për politizim

Forumi treditor për Procesin e Berlinit në kuadër të kryesimit nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut u mbyll me konferencë të përbashkët të Ministrave për punë të jashtme Nikolla Dimitrov dhe Ekaterina Zaharieva. E edhe pse ishte paralajmëruar ardhja e krye diplomatit gjerman Hajko Mass, i njëjti nuk u duk askund.

Bashkëkryesimi me Procesin e Berlinit nga dy vende të Ballkanit sipas Dimitrovit është sinjal edhe për vendet e tjera se një gjë e tillë është e mundshme. Këtë pohim e mbështeti edhe kolegia e tij Zaharieva. Sipas saj metodologjia e re e bisedimeve nuk duhet të jetë arsyetim për shtyrje të hapjes së negociatave, raporton TV21.

E gjatë pyetjeve të gazetarëve u hap edhe çështja e historisë dhe punës së komisioneve për histori. I pyetur se a mos politika e Shkupit po përzihet në Komisionin maqedono-bullgar, duke qenë se i njëjti është vënë ën pauzë për shkak të zgjedhjeve, Dimitrov tha se qeveria nuk ka princip të japin instruksione ndërsa shtoi se vendimi është sjellë pasi historianët kanë kërkuar mendim për këtë. Sipas tij është e dukshme se para zgjedhjeve këto tema bëhen gjithnjë e më të vështira.

“Edhe ata që duan ta prishin procesin që e filluam me Bullgarinë fqinje shumë lehtë mund t’i përdorin këto çështje para zgjedhjeve. Ata u konsultuan dhe na pyetën, a të ketë sërish takime intensive e kështu me radhë. Mendoj se e rëndësishmja është që të ketë përparim. Ata punojnë edhe me librat shkollorë nga të dyja anët, shkëmbejnë letra, kështu që nëse në pyetjen tuaj implikoni se ai komision është organ partiak, ju them që nuk është, absolutisht” pohoi ministri i Maqedonisë së Veriut për Punë të Jashtme Nikolla Dimitrov.

Homologia Zaharieva tha se shpreson që kjo retorikë të jetë vetëm parazgjedhore e të mos vazhdohet edhe pas zgjedhjeve.

“Për komisionin, ndoshta pyetja nga mediat tona ishte për shkak se ju akuzoni se ne e politizojmë. Në të njëjtën kohë komisioni juaj vendosi që të mos ketë takime. E di se është vështirë në kohë zgjedhjesh, ato politizohen, e për fat të keq shohim edhe fushatë bullgare që shumë lehtë luan me temën nacionale. Kjo është politikë afatshkurtër, siç tua edhe ti andaj më mençur dhe më patriotike është të punohet për miqësi me fqinjët. Shpresoj që kjo është pjesë e retorikës parazgjedhore e nuk do të përdoret më pas zgjedhjeve” u shpreh Ekaterina Zaharieva, ministre e Bullgarisë për Punë të Jashtme.