Shkruan: Dr. Fatmir Hasani
Që dje vërshuan lajmet në media se ish-kreu i Agjencisë së Inteligjencës, Nake Çulev, është e mundur të jetë ministri i ardhshëm teknik i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga radhët e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE. Shënimet e tij biografike flasin për një karrierë të bujshme në fushën e zhbulimit dhe të sigurisë. Thuhet se nga viti 2013 deri në vitin 2017, ka mbajtur postin drejtorit në Agjencinë e Inteligjencës, i zgjedhur nga ish-presidenti Gjorge Ivanov, kurse më pas, nga 2017 deri në 2019, ka qenë ndihmës i pasardhësit të tij. Më herët, më saktë në vitet 2003 – 2007, ka qenë sekretar i parë në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Ankara të Turqisë.
Por, duke u mbështetur në informacionet e medias, mësohet se Çulev derisa kishte qenë në krye të Agjencisë së Inteligjencës nuk kishte kaluar pa skandale. Ai, në vitin 2016, ishte akuzuar nga opozita e atëhershme-LSDM-ja për mosdeklarimin e pasurisë së tij të paluajtshme. Në fakt, sipas tyre, këtu bëhet fjalë për një apartament prej rreth 90 mijë eurosh në një ndërtesë luksoze banimi në komunën Aerodrom.
Diçka më tepër sesa mosdeklarimi i banesës së tij, për Çulevin që lë njollën kryesore në biografinë e tij mbetet ‘Rasti i Kumanovës’, në Lagjen e Trimave, më 9 maj të vitit 2015, ku sot e kësaj dite shkaqet e këtij konflikti mbetën enigma më e madhe e këtij rasti. Prandaj, nëse ndodhë që Çulev të vijë në këtë pozitë, urojmë që ta pastrojë mjegullën e kësaj ngjarjeje të rëndë. Kjo do t’i ndihmonte atij dhe mbarë opinionit për ta rikthyer besimin tek institucionet e vendit dhe drejtuesit e saj, në të kundërt hendeku i ndasive do të thellohej edhe më shumë!