Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një konferencë të jashtëzakonshme për media njoftoi se partia e tij do të inicojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë, si rrjedhojë e veprimeve të pamatura të kryeministrit Kurti karshi LDK-së mirëpo edhe karshi miqësisë me SHBA-të.
Në fakt, kryefjalë e konferencës së Mustafës ishte pikërisht miqësia me SHBA-të, dhe rrezikimi që i është bërë asaj me refuzimin për heqjen e taksës.
Sidoqoftë, për pasojat e mos-heqjes së taksës kryeministri Kurti ishte paralajmëruar edhe më herët nga SHBA-të.
Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për dialogun, më 27 shkurt shkruante se Kurti është duke bërë një gabim serioz me qëndrimin e tij refuzues për heqjen e tarifës.
Postimi në Tëitter i Grenell ishte cilësuar si një ndër më seriozët që kishte ardhur nga administrata e presidentit amerikan.
“Ne nuk i mbështesim masat gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni jonë është i qarë, taksa duhet të hiqet e plotë. Zoti Kurti është duke bërë një gabim serioz, dhe kjo i është bërë e qartë presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, shkruante Grenell në fund të muajit shkurt.
Arsye tjetër e vendimit për rrëzimin e qeverisë nga ana e LDK-së është edhe veprimi i njëanshëm i Kurtit sot, për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, që çoi në mbledhjen urgjente të kryesisë së LDK-së, e më pas vendimit për inicimin e mocionit të mosbesimit.