Në librin “Kështu Foli Tahir Zemaj”, kolonel Tahir Zemaj kishte rrëfyer një moment nga lufta, kur tashmë të akuzuarit nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi kishin shkuar në Dukagjin dhe e kishin hequr Tahir Zemajn nga posti i Komandantit në Rrafshin e Dukagjinit.
“Jam larguar dhe pas tre ditësh më kanë ftuar në fshatin Bardhaniq për t’I vazhduar bisedimet në lidhje me këtë komandë. Unë kam shkuar me të gjithë kolegët e mi. Detyrën e komandantit të Brigadës së tretë, pas emërimit të Shemsedin Çekut në detyrën e Ndihmës Komandantit për Mbrojtjen territoriale, e kryente Musa Gjakova. Pas revistës me brigadën dhe raportimit të komandantit të saj Gjakova, kemi filluar bisedimet. Rexhep Selimi që ishte prezentuar si Inspektor Gjeneral i Ushtrisë së Kosovës, kishte nënshkruar një dekret, ku vendi im me atë të Ramush Haredinajt ishin ndryshuar. Pra Ramushi komandant ndërsa unë zëvëndësi i tij. Të gjithë njerëzit e tyre ishin ngritur në përgjegjësira ndërsa tanët ishin ulur ose hequr fare. Përderisa bëhej fjalë drejtëpërdrejtë për mua, kam thënë se nuik kisha kurrfarë kundërshtimi nëse Komandanti i Shtabit Suprem, apo Kryeministri i Kosovës e urdhërojnë një gjë të tillë, unë si ushtarak zbatoja vetëm urdhërat. Kanë ndërprerë takimin dhe me telefon kanë thirruar Zotni Ahmet Krasniqin dhe për rreth një orë në prezencën time të Thaçit dhe Rexhep Selimit, kolonel Krasniqi nuk ka pranuar. Ai u ka thënë atyre se ata po shkelin një marrëveshje dhe se nuk mund të zëvëndsonin Tahir Zemën. Përpara se ta mbaronte bisedën me Kolonel Krasniqin, Thaqi i ka thënë telefon: “Me ty shumë shpejt do ta kryej misionin ” dhe ka filluar të shajë. (Në këtë moment Tahir Zemaj hap një parantezë dhe shton : Është fakt se Hashim Thaçi, një natë para se të vritej Kolonel Krasniqi, takohet dhe flen në Tiranë në banesën e Ibrahim Kelmendit, ky person është i përmendur jo rrallë në histori të ndyra atentatesha kundër figurave nacionaliste shqiptare. Zemaj pyet : Çfarë misioni do ta kryente Thaçi kundër Kolonel Krasniqit ?! A thua është thjeshtë rastësi prezenca e tij në Tiranë një ditë para vrasjes së Krasniqit dhe takimi i Thaçit me Kelmendin ?!”, kishte rrëfyer në librin e tij kolonel, Tahir Zemaj.
Më tej, Zemaj kishte treguar edhe fjalët dhe kërcënimet e rënda që kishte marr në atë kohë nga Hashim Thaci.
“Sigurisht që përgjigjen e pyetjeve të tilla mund ta japë deri në fund vetëm drejtësia, e cila vonon por nuk harron !) Ata e kanë mbyllur dikur telefonin dhe më janë drejtuar mua, tekstualisht dhe personalisht Hashim Thaçi : “Do të luftoj me ty Tahir Zemaj si me shka, me ty dhe me njësitë tua !”. Pushka top t’u bëftë i thashë veç po të them që është mirë të merremi vesh, se unë jam i gatshëm të luftoj veç kundër shkieve, qoftë edhe nën komandën tënde. Unë nuk mund t’i tradhtoj eprorët e mi sa herë më del rasti, se kështu do të tradhtoja edhe ty nesër. Prandaj, merruni vesh dhe ejani ta luftojmë shkaun njëherë. Atë “dekretin e tyre” nuk e mora”, rrëfente Zemaj në librin “Kështu Foli Tahir Zemaj”.
“I kam thënë Ramushit të ngrihej e të fliste, “ti e di shumë mirë si mendon rrafshi i Dukagjinit, ti e di se sa probleme do të kemi me komandimin e forcave në këtë rajon. Pasi njerëzit do të respektojnë vetëm marrëveshjen e 20 gushtit. Ramushi u ngrit dhe tha se ai “nuk dinte asgjë, se të tjerët e kishin vendosur”, e kishte fjalën për Shtabin e Përgjithshëm. Atij në fakt po i pëlqente vendimi i tyre. Deri në ato momente ai i zbatonte urdhërat luftarake që i kishte marrë nga komanda e përbashkët. U larguam. Ata mbetën në Jabllanicë, pa mundur të qajnë në drejtim të Drenicës. Pas dy ditësh kanë kërkuar ndihmë prej meje. Ramushi nëpërmjet një korrieri më ka kërkuar që t’i dërgoja një njësi në ndihmë për të përballuar ofensivën që i qe vërsulur asaj zone”, përfundonte rrëfimin e tij kolonel, Tahir Zemaj.
E në aktakuzën e Speciales ndaj Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit ka zënë vend edhe ky rast.
Thaçi dhe Selimi akuzohen se kanë tentuar frikësimin e njësiteve të FARK-ut në Dukagjin.
“Në një numër rastesh, përfshirë edhe në fillim të shtatorit 1998 në zonën operative të Dukagjinit, Hashim THAÇI dhe Rexhep SELIMI ndërmorën hapa për të frikësuar dhe për të vendosur pushtetin e tyre mbi njësitet që kishin lidhje me LDK-në, ndër të cilat edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (‘FARK’) të lidhura me qeverinë në megrim”, thuhet në pikën 43 të aktakuzës së Speciales.
Kujtomë se Kolonel Tahir Zemaj ishte vrarë se bashku me djalin e tij Enisin dhe kushëririn e tij Hasanin, më 4 janar të vitit 2003. Ata u vranë 17 vite më parë në një pritë të organizuar pas shpine te Kombinat i Drurit në Pejë, vrasje kjo që nuk u zbardh asnjëherë.




