Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian Ilhan Quçuk sot në mëngjes uroi marrjen e detyrës nga ana e Qeverisë së re të Maqedonisë dhe “formimin e saj të shpejtë” në kushte të pandemisë globale.




“Duhet të kujtojmë se Zaevi i theksoi edhe marrëveshjen me Bullgarinë edhe marrëveshjen e Prespës me Greqinë si bazë për vazhdimin e reformave. Qeveria e re në Shkup, e cila është qartë pro-evropiane, tani ka të gjitha mjetet për të vazhduar përparimin që Maqedonia e Veriut ka bërë në vitet e fundit. Unë besoj se një nga detyrat e para të qeverisë së re është të përgatisë udhërrëfyes për pranimin, bazuar në konsensus të gjerë në vend, dhe ndërkohë Këshilli i BE-së duhet të miratojë tekstin përfundimtar të kornizës negociuese në mënyrë që konferenca e parë ndërqeveritare të mund të thirret sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Ilhan Quçuk në reagimin e tij me shkrim për mediat.
Ilhan Quçuk është raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, që do të thotë se ai përgatit mendimin e këtij institucioni për reformat në vend. Edhe pse ky raport nuk është ligjërisht i detyrueshëm, ai merret parasysh kur vendoset për rrugën e vendit në BE në institucione të tjera. Quçuk është një deputet bullgar nga Liberal Demokratë “Ripërtëritja” në PE.
Kryetari i Ripërtëritjes, Daçian Çiolos shprehi besimin se qeveria e Maqedonisë do të jetë plotësisht e përkushtuar ndaj reformave të BE në periudhën e ardhshme “për të siguruar proces që do të ketë efekt transformues në shoqëri, duke përfshirë haptas dhe në mënyrë transparente të gjithë faktorët”. /MIA