Në 24 orët e kaluara në Greqi ka pasur 57 zjarre pyjore në lokacione të ndryshme, ndërsa kanë intervenuar gjithsej 749 zjarrfikës me 264 automjete, 18 ekipe këmbësorike, aeroplanë dhe helikopterë, ndërsa kanë ndihmuar një helikopter i armatës si dhe cisterna dhe buldozerë të komunave, njofton korrespondentja e MIA-s në Athinë.
Nga Shërbimi kundër zjarreve në Greqi njoftojnë se numri më i madh i zjarreve është vendosur shpejtë nën kontroll, ndërsa ende aktiv është zjarri në afërsi të Korintit që u shkaktua dje në mesditë.
Zjarrfikësit gjatë natës kanë luftuar me stuhitë e zjarrit, ndërsa përpjekjet që zjarri të vihet në kontroll vazhdon edhe sot.
Sipas agjencisë greke ANA-MPA kanë intervenuar 236 zjarrfikës me 54 automjete, 15 ekipe këmbësorike, gjashtë helikopterë dhe katër aeroplanë.
Gjatë ditës së djeshme, janë evakuuar të paktën gjashtë lagje, dy kampe fëmijësh me rreth 800 fëmijë, ndërsa sipas mediave greke zjarri ka shkaktuar dëm material në disa shtëpi.
Kryetari i komunës së Korintit për televizionin grek “Skaj” ka thënë se edhe pse zjarri nuk është vënë në kontroll megjithatë nuk paraqet rrezik për vendbanimet.