Shkolla “Marija Kiri Skllodovska” është njëra nga shumë shkollat në vend të cilat kanë mbi 30 nxënës në një klasë. Numri i madh i nxënësve dhe hapësirat e pakta pamundësojnë realizimin e procesit arsimor në shkolla nën masa kundër Kovid-19.
Drejtori Blerim Nebiu thotë se në kushte të këtilla, mësimi në shkolla mund të bëhet nën formulën me rotacion. Një javë në shkollë të vijnë nxënësit e vitit të parë dhe të dytë, javën që vjen të vitit të tretë dhe të katërt. Java nga shtëpia të zhvillohet me mësim online.
“Të bëhet kombinimi i paraleleve. Nëse janë katër vjet. Vitet e para dhe të dyta të ndërrohen secilën javë me vitet e treta dhe të katërta çdo javë apo në çdo dy javë. Kështu mund të kemi edhe kombinim të mësimit edhe me prani fizike por edhe në distancë”, vlerëson drejtori i shkollës “Marija Kiri Skllodovska”, Blerim Nebiu.
Thotë se pa problem mund ta realizojnë mësimin praktik, sepse laboratorët i kanë të mëdha e kurse klasat ndahen në dy grupe.
“Ne si shkollë profesionale pasi që kemi edhe mësim praktik, për këtë çështje ne pa problem mund ta realizojmë mësimin në prani fizike, sepse laboratorët që i kemi kanë hapësirë goxha të madhe dhe kur zhvillohet mësimi praktik edhe ashtu gjysma e paraleles është prezente”, tha më tej Nebiu.
Rikthimi i nxënësve në shkolla është njëri nga dy opsionet se si mund të organizohet procesi arsimor nga shtatori. Edhe pse një muaj na ndajnë nga fillim vitit shkollor, Biroja e Arsimit dhe Shkencës ende nuk ka përpiluar plan program për asnjërin model.
“Është formuar grupi i punës ku po përpilohet protokoll për mësim të rregullt. Edhe nëse fillon mësimi i rregullt nuk do të jetë siç ka qenë”, deklaroi ditë më parë drejtori i Byrosë, Zekirija Hasip.
Për mësimin në distancë është përpiluar koncept. Jozyrtarisht thuhet se viti shkollor do të fillojë në distancë dhe nga muaji tetor./TV21